Jo rrallëherë shqiptarët e kërkuar nga shtete të ndryshme në Evropë ku kanë jetuar dhe dyshohet se kanë vepruar kundërligjshëm janë shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe shumë shpesh janë kapur edhe në Kosovë. Në raste të tilla, ata duhet të ekstradohen për ta vuajtur dënimin në shtetin ku janë shpallur fajtor, raporton Gazeta Sinjali.
Edhe sot në pikën kufitare në Vërmicë, Policia e Kosovës ka arritur ta arrestojë një person që po kërkohej nga shteti i Gjermanisë.
Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se bëhet fjalë për Eraldo Dibrën, 31-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkom ndërkombëtar për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.
I njëjti kishte arritur që të ikë nga një shtet në tjetrin derisa sot u kap nga Policia kufitare, ku pas verifikimit rezultoi se ndaj Dibrës k urdhërarrest aktiv. Pas arrestimit, i riu është shoqëruar në stacionin policor në Prizren, ku ndaj tij është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh.
Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit pritet të bëjë kërkesën e nevojshme për paraburgim, bazuar në procedurat e ekstradimit.
Ndryshe, sipas Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, “edhe para pranimit të kërkesës për ekstradim, personi i kërkuar mund të arrestohet dhe paraburgoset për një periudhë maksimale prej dyzet (40) ditësh, në qoftë se shteti kërkues dorëzon tek Ministria kërkesën për arrest të përkohshëm, në të cilën ceket se dokumentet e referuara në nenin 18 paragrafi 2 të këtij ligji ekzistojnë dhe se një kërkesë për ekstradim do të paraqitet në kohën e duhur”.