image Bie në pranga të Policisë 70-vjeçari që dyshohet se sulmoi seksualisht vajzën e mbesës 14-vjeçare

Siguri

Bie në pranga të Policisë 70-vjeçari që dyshohet se sulmoi seksualisht vajzën e mbesës 14-vjeçare

news image

Policia e Kosovës ka arritur të arrestojë 70-vjeçarin nga Gjilani, i cili po dyshohet se ka kryer veprën penale “sulm seksual” ndaj një të mitureje, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se S.D., është arrestuar në shtëpinë e tij në Gjilan, pasi dyshohet se para disa ditësh ka sulmuar seksualisht vajzën 14-vjeçare të mbesës së tij nga Prishtina.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndryshe, Gazeta Sinjali ka raportuar sot për këtë rast të trishtë që ka ndodhur në Gjilan, ku e mitura nga Prishtina është sulmuar seksualisht nga daja i nënës së saj. Rasti e ka tronditur familjen nga Prishtina, me ç’rast babai i viktimës ka vendosur ta denoncojë në Polici.

Viktima e moshës 14-vjeçare është intervistuar nga hetuesit policorë, në prani të prindit dhe punëtorit të Qendrës për Punë Sociale, ku ka dhënë versionin e saj se si u përball me sulmin seksual nga familjari.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur mes datës 7 dhe 8 maj, në Gjilan, prej nga vjen i dyshuari.

Kujtojmë se janë rritur rastet kur të miturat janë viktima të ngacmimeve, sulmeve seksuale e dhunimeve nga persona të moshës së shtyer.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që kryen këtë vepër ndaj personit nën moshën 16 vjet, dënohet me burgim prej pesë (5) deri në dhjetë (10) vjet.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/