Për shkak të pandemisë së koronavirusit, është shënuar 30 për qind rënie e importit të automjeteve.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, i cili shtoi se gjatë pandemisë janë importuar rreth 2500 automjete të vjetra më pak, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Kosova nuk ka mundur me i ikë trendit global të zvogëlimit të tregut të automjeteve. Në gjithë botën ka pasur ulje drastike të veturave të cilat janë shitur. Derisa tek ne kjo është reflektuar me një ulje të konsiderueshme. Për automjetet e reja rënia ka qenë nga 2100 sa janë shitë deri në fund të korrikut, këtë vit kemi rënë në 1500 copë automjete ose rënia ka qenë rreth 30 përqind automjete më pak të reja. Ndërsa për automjetet e përdorura impakti është edhe më i madh. Rreth 2500 automjete kemi më pak të importuara gjatë kësaj kohe të pandemisë, që do të thotë ka rënie mbi 20 përqind në të dy këto fusha. Nëse më herët kemi pasur rreth 11 mijë automjete të importuara gjatë shtatë muajve të parë të vitit, tani kemi vetëm 8500 automjete. Ka një rënie prapë të vazhdueshme të automjeteve”, theksoi ai.
Sa i përket të hyrave nga Dogana, Stavileci ka thënë është një rënie e konsiderueshme, mbi 70 milionë euro.
“Gjatë kësaj periudhe ne kemi rënie të importit në përgjithësi të produkteve të ndryshme. Kjo ka ndikuar direkt edhe në arkëtimin e të hyrave. Nëse merret si periudhë krahasuese 2019 me 2020 vërehet se rënia e të hyrave është rreth 12 përqind më pak se viti i kaluar. Në vitin e kaluar kemi pasur të hyra deri në korrik rreth 660 milionë euro , tani kemi rreth 580 milionë euro. Që do të thotë rënia është mbi 70 milionë euro që është një rënie konsiderueshme, e cila varet edhe nga konsumi”, theksoi ai. /GazetaSinjali/