Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se samiti për klimën që po mbahet në Glasgou të Skocisë duhet të jetë “fillimi” i një dekade të ambicieve drejt trajtimit të ndryshimeve klimatike.
“Askush prej nesh nuk mund t’i shpëtojë më të keqes nëse nuk arrijmë ta shfrytëzojmë këtë moment”, tha Biden duke iu drejtuar pjesëmarrësve në samit.
Shtetet e Bashkuara janë ende duke u përpjekur që disa nga ndotësit më të mëdhenj në botë – Kina, Rusia dhe India – t’i bashkohen ShBA-së dhe aleatëve të saj në planet për të djegur shumë më pak qymyr, gaz dhe naftë dhe për të bërë hapa drejt përdorimit të energjisë më të pastër.
Biden tha se përgjigja masive e nevojshme për të ndaluar krizën klimatike duhet të shihet si një mundësi për ekonomitë e botës.
“Ne kemi aftësinë të investojmë në veten tonë dhe të ndërtojmë një të ardhme të barabartë, me energji të pastër dhe në këtë proces të krijojmë miliona vende pune”, tha Biden.
“Ne jemi në një pikë kthese në historinë botërore”, tha Biden, duke përshkruar përhapjen e zjarreve, thatësirave dhe fatkeqësive të tjera të lidhura me klimën.
“Ndryshimet klimatike tashmë po shkatërrojnë botën”, tha presidenti amerikan, duke shtuar se çdo ditë që vendet nuk veprojnë atëherë kostoja rritet.
Më shumë se 20,000 delegatë janë akredituar për këtë samit, raporton REL.
Në këtë organizim është vërejtur mungesa e liderit të Kinës, Xi Jinping dhe atij rus, Vladimir Putin./GazetaSinjali/