image Biden me COVID-19, zbulohen simptomat dhe ilaçi që po merr

Botë

Biden me COVID-19, zbulohen simptomat dhe ilaçi që po merr

news image

Presidenti amerikan Joe Biden doli pozitiv me COVID-19 pas një testimi që bëri të enjten në mëngjes. Sipas Shtëpisë së Bardhë, ai ka simptoma të lehta.

Sipas protokolleve, duke qenë se Biden është 79 vjeç, pavarësisht se ka katër doza vaksine, ai duhet të qëndrojë në izolim deri të martën e ardhshme, dhe të pushojë pak më shumë se zakonisht.

Sipas sekretares për mediat, Karine Jean-Pierre, kjo është hera e parë që Biden del pozitiv në një test. Për herë të fundit ai ishte testuar të martën, kur kishte dalë negativ, shkruan a2cnn.

Të enjten pasdreke Biden publikoi një mesazh në Twitter ku thoshte se ishte shumë mirë, por nuk mund të merrte pjesë në një aktivitet në Pensilvani, ku duhet të kishte qenë i pranishëm.

Njerëz, ndihem shumë mirë! Faleminderit për shqetësimin tuaj. Sapo fola me senatorin Casey, kongresmenin Cartëright, dhe kryebashkiakun Cognetti (dhe kushërinjtë e mi në Scranton!) për t’i çuar të fala dhe për të shprehur keqardhjen për mungesën në aktivitetin e sotëm“, shkroi ai në Twitter.

Sipas CNN, Biden ka nisur menjëherë trajtimin me antiviralin Paxlovid, një ilaç i autorizuar për përdorim emergjent nga Administrata e Ushqimeve dhe Ilaçeve (FDA) dhe që lejohet për personat mbi 12 vjeç. Sipas koordinatorit të Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin, Dr. Ashish Jha, Biden ka hundë të zëna, lodhje trupore dhe kollë të thatë, por jo temperaturë.

Presdienti amerikan i mori dy dozat e para të vaksinës anti-Covid Pfizer para inaugurimit të tij në janar 2021. Dozën e parë përforcuese e mori në shtator 2021 dhe në mars 2022 mori dozën e dytë.

Zëvendëspresidentja Kamala Harris dhe Zonja e Parë, Jill Biden, dolën të dyja negative pas testimeve të kryera të enjten dhe sipas protokollit, do të vijojnë aktivitetet e tyre sipas programit.

/GazetaSinjali/