Biden i tha Zelenskyt se ShBA do t’i siguronte Ukrainës 500 milionë dollarë “ndihmë direkte buxhetore”, thotë Shtëpia e Bardhë.
Presidenti i Amerikës, Joe Biden, ka folur me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, ku ka bërë të ditur se ShBA-të do t’i sigurojë Ukrainës 500 milionë dollarë ndihmë direkte buxhetore.
Kështu ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë, përmes një komunikate për media në të cilën thuhet se biseda zgjati për rreth një orë.
Këto para, sipas një zyrtari nga Shtëpia e Bardhë janë të destinuara si ndihmë për pagimin e pagave, ndër të tjera.
“Udhëheqësit diskutuan se si Shtetet e Bashkuara po punojnë gjatë gjithë kohës për të përmbushur kërkesat kryesore të ndihmës për sigurinë në Ukrainë, efektet kritike që ato armë kanë pasur në konflikt dhe përpjekjet e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara me aleatët dhe partnerët për të identifikuar aftësitë shtesë për ta ndihmuar ushtrinë ukrainase të mbrojë vendin e saj”, thuhet në komunikatë, shkruan CNN.
Tutje, sipas Shtëpisë së Bardhë, Biden ka rishikuar sanksionet shtesë dhe ndihmën humanitare për të cilën u vendos javën që shkoi.
Biden, gjithashtu bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë t’i mbajnë sanksionet të cilat i kanë vendosur kundër Rusisë dhe se do t’i sigurojë ushtrisë ukrainase kapacitetin për ta mbrojtur veten.
Ndërsa, më herët, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se me Biden folën rreth situatës në fushëbetejë dhe asaj në tryezën e bisedimeve.
“Biseduam për mbështetje specifike mbrojtëse, një paketë të re sanksionesh të zgjeruara, ndihmë makro-financiare dhe humanitare”, ka shkruar Zelensky.