image Betimi i kryetarit të Mitrovicës së Veriut, KFOR-i: Do të monitorojmë situatën, sigurinë do ta bëjë Policia e Kosovës

Siguri

Betimi i kryetarit të Mitrovicës së Veriut, KFOR-i: Do të monitorojmë situatën, sigurinë do ta bëjë Policia e Kosovës

news image

Sot fillon betimi i kryetarëve të rinj të 4 komunave në veri të Kosovës.

Erden Atiq do ta bëjë i pari betimin nga gjithsej 4 kryetarët që dolën nga zgjedhjet në veri.

Betimi i kryetarit të ri do të bëhet në objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe nuk ka pikë tjetër në rendin e ditës.

KFOR-i ndërkohë është deklaruar lidhur me sigurinë në Veri për shmangie të ndonjë incidenti.

Në një përgjigje, KFOR-i ka deklaruar se po vazhdon të monitorojë situatën.

“Me rastin e betimit të kryetarit të Mitrovicës dhe situatës në përgjithësi sigurinë do ta bëjë Policia e Kosovës. KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën dhe të mbajë një nivel të lartë të gatishmërisë së njësive të tij për të përballuar çdo skenar të mundshëm, duke pritur që institucionet në Kosovë ta trajtojnë situatën në mënyrë efikase.” – theksohet në një përgjigje të KFOR-it për RTV 21.

Dje, shtetet e Quint-it, Franca, Italia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë thënë se zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat e veriut të Kosovës janë mbajtur në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.

Megjithatë, këto shtete thonë se si pasojë e bojkotit nga komuniteti serb, rezultatet e tyre nuk janë zgjidhje afatgjata politike për këto komuna.

“Më 23 prill, në veri të Kosovës u mbajtën katër palë zgjedhje për kryetar komune dhe dy palë zgjedhje për asamble komunale, në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës. Megjithatë, pas bojkotit nga një pjesë e konsiderueshme e komunitetit serb, rezultatet nuk janë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna”, thuhet në deklaratën e përbashkët të këtyre shteteve.

Shtetet e Quint-it u kanë bërë thirrje të gjithë aktorëve që urgjentisht të punojnë së bashku midis të gjitha palëve të interesuara, përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme përfaqësuese pjesëmarrëse në këto komuna.

“Nuk duhet të ketë veprime apo iniciativa – përfshirë kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale – që nuk i shërbejnë popullit ose që mund të rrisin tensionet. Kjo përfshin ushtrimin e më shumë se kompetencave administrative dhe procesin e marrjes së detyrës pasi nuk kërkohet që kryetarët e komunave të bëjnë betimin në zyrat komunale. Të gjitha palët duhet të përmbahen nga përdorimi i forcës ose veprimet që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”, thanë shtetet e Quint-it.

/GazetaSinjali/