image Betim Halimi ftohet nga Kosova për ndeshjen kundër Suedisë

Sport/ Betim Halimi ftohet nga Kosova për ndeshjen kundër Suedisë

news image

Portierit shtatlartë, lëndimi ia mohon grumbullimin dhe debutimin Betim Halimi ka marrë ftesë për herë të parë nga Përfaqësuesja e Kosovës në futboll, por lëndimi i fundit do t’ia mohojë atij grumbullimin e mbase edhe debutimin me “Dardanët”.

Ai ka marrë ftesën për ndeshjen miqësore që Kosova do ta zhvillojë në Katar, në janar të vitit të ardhshëm kundër Suedisë.

Lajmin për Sportin në KTV e ka bërë të ditur të hënën vetë portieri gjigant i Olimpik Donetskut.

“Më ka kontaktuar ndihmëstrajneri Muharrem Sahiti dhe më ka treguar se jam i ftuar për ndeshjen miqësore kundër Suedisë. Ftesën e Kosovës e vlerësoj shumë, por nuk do të jem i gatshëm për shkak të lëndimit qe e pata. Do të mungoj edhe me këshillë të klubit, që më ka udhëzuar të ushtroj individualisht. Shpresoj qe ta lë prapa sa më shpejtë këtë lëndim dhe ta ndihmojë Kosovën kurdo që do të ketë nevojë”, deklaroi Halimi.

Portieri i gjatë 204 cm me ekipin ukrainas, në edicionin e sivjetmë ka luajtur titullar në 4 ndeshje, por për shkak të dëmtimit që e pati, mungoi dy muaj.

Ai e ka lënë prapë lëndimin në gishtin e vogël të këmbës dhe së shpejti do t’u kthehet stërvitjeve individuale pasi ka përfunduar edicioni stinor edhe në Ukrainë.

Portieri Halimi i cili ndodhet në Kosovë për pushime, karrierë ka bërë në klube të vendit, së fundmi te Drita e Gjilanit, derisa rrugën për në Olimpik Donetsk e mori në shkurt të këtij viti, dhe ka kontratë deri në vitin 2022. 23-vjeçari nga Pozherani më herët është paraqitur edhe për grupmoshat e reja të Kosovës.