image Besimtarët muslimanë në Kosovë nisin peticion për hapjen e xhamive

Kosovë

Pandemia/ Besimtarët muslimanë në Kosovë nisin peticion për hapjen e xhamive

news image

Qytetarët e besimit islam në Kosovë kanë inicuar një peticion me anë të të cilët kërkojnë nga Bashkësia Islame e Kosovës rihapjen e xhamive, shkruan Gazeta Sinjali.

Kërkesa e tyre erdhi pas panifikimit të Ministrisë së Shëndetësisë për lejimin e rifillimit të punës për disa veprimtari ekonomike të cilat, sipas organizatorëve të këtij peticioni, nuk kanë asnjë ndryshim me aktivitetin e faljes kolektive në xhami.

“Kjo do të thotë se ekspertët e Institucioneve Shëndetësore në vend janë shprehur për mundësinë e kryerjes së këtyre aktiviteteve ekonomike (berberët, parukieret, dentistët, bar-kafetë dhe restorantet), duke respektuar protokollet e nevojshme, e për rrjedhojë e njëjta masë vlerësimi vlen edhe për aktivitetin e kryerjes së faljeve kolektive në xhami, pasi ky aktivitet nuk ka asnjë ndryshim nga aktivitetet e lejuara, madje mund të ofrojë më shumë garanci për respektimin e protokolleve të ruajtjes dhe distancimit fizik”, thuhet në kërkesën e tyre.

Hapjen e xhamive, besimtarët muslimanë e konsiderojnë të mundshme në këtë situatë, madje edhe të vonuar.

“Në të njëjtën fashë orare në të cilën njerëzit janë lejuar të dalin lirshëm për punë, shëtitje, ajrosje, ecje, etj, të gjitha të konsideruara të domosdoshme për shëndetin fiziko-shpirtëror të individit, dhe të pranueshme si të sigurta në kushtet aktuale të gjendjes së pandemisë, është plotësisht e mundshme, madje e vonuar, një hapje graduale e xhamive, përgjatë të njëjtës fashë orare të daljes, duke vendosur rregulla strikte të distancimit fizik për faljet në grup”.

Ata kërkojnë përgjigje nga Bashkësia Islame për deklaratën e tyre se hapja e xhamive në këtë kohë është e rrezikshme dhe e pamundur.

“Mosçelja e dyerve të Shtëpive të Zotit në tokë, po shoqërohet gjithashtu edhe me mungesën totale të një prononcimi nga drejtuesit e BIK, se kur mendohet se do të hapen xhamitë në vend, nëse ka një studim hap pas hapi të situatës dhe ajo që është më e rëndësishmja:

– bazuar në cilin opinion, të detajuar dhe të zgjeruar, të cilëve ekspertë, që pasi kanë studiuar dhe njohin më së miri veprimtarinë ditore të një besimtari në xhami, mundësinë për modifikimin e saj duke iu përshtatur kushteve që dikton situata aktuale e pandemisë, kanë vendosur gjithsesi se është e pamundur dhe me rrezik maksimal çelja e dyerve të xhamive?”.

Qytetarët e besimit islam në Kosovë thonë se hapja e xhamive është nevojë shpirtërore si dhe ecja, ajrosja, puna e ushqimi. Andaj, e shohin të paarsyshme moslehtësimin e masave shtrënguese të vendosura nga kryesia e BIK-ut për hapjen e xhamive dhe kjo sipas tyre ngjan me kohën e diktaturës.

Prandaj, ata kanë kërkuar që drejtuesit dhe personat përgjegjës në BIK, çdo imam xhamie dhe hoxhallarët në tërësi, të angazhohen maksimalisht për t’i dhënë zgjidhje dhe drejtim kësaj situate, që sipas tyre tashmë është e paarsyetueshme dhe e pajustifikueshme.

“Kërkojmë prej tyre, thjeshtësisht mbajtjen e përgjegjësive institucionale që kanë marrë përsipër në menaxhimin e xhamive dhe të jetës brenda tyre, si dhe të mbajnë amanetin që natyrshëm u buron nga pozicioni, karshi Zotit tonë. Personat e sipërcituar, duhet të ndërmarrin kryerjen e çdo veprimi të nevojshëm, për të përcaktuar modalitetet, mënyrat se si do të operohet, për të dhënë udhëzimet përkatëse për drejtuesit e xhamive, deri në realizimin dhe plotësimin e kësaj të drejte të ligjshme dhe jetike”, thuhet në kërkesën e tyre.

Kujtojmë që mbyllja e xhamive u bë më 14 mars të këtij viti, si masë preventive për parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së koronavirusit. /Gazeta Sinjali/