Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, insiston se vendi i saj i ka përmbushur të gjitha detyrimet dhe marrëveshjet e dala nga dialogu Kosovë – Serbi.
Në mesin e këtyre obligimeve, sipas saj të përmbushura, ajo thotë se është edhe edhe gjetja e identifikimi i të vrarëve gjatë luftës, përcjell Gazeta Sinjali.
Sot, 22 vjet pas luftës, ende llogariten mbi 1 mijë e 600 shqiptarë të zhdukur. Së fundi janë gjetur në Serbi mbetjet mortore të së paku nëntë shqiptarëve.
Bërnabiq, pas takimit me zëvendësndihmës sekretarin e ShBA-së, Matthew Palmer, të enjten në Beograd, tha se pret që njësoj të veprojë edhe Kosova.
Sipas saj, Kosova duhet të themelojë Asociacionin e Komunave Serbe, derivat i marrëveshjes së vitit 2013.
Në anën tjetër, kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se nuk do të ketë asociacion njëetnik dhe të tillë që bien në kundërshtim dhe Kushtetutën e Kosovës.
Nga mesi i këtij muaji, pritet të rinisë në Bruksel dialogu Kosovë – Serbi, nën ndërmjetësimin e BE-së dhe përkrahjen e ShBA-së./Gazeta Sinjali/