image Bërnabiq - Hotit: Pajtohem se territori s'duhet të diskutohet, faleminderit për këtë

Politikë

Bërnabiq – Hotit: Pajtohem se territori s’duhet të diskutohet, faleminderit për këtë

news image

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se pajtohet me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin se nuk duhet të flitet për shkëmbim të territoreve në dialog.

Ajo e ka ripërsëritur frazën e njohur e të dështuar serbe se “Kosova është Serbi”, duke shtuar se prandaj nuk ka nevojë për diskutim rreth territoreve.

“Dua ta falënderoj z.Hoti që e sqaroi edhe njëherë se nuk ka nevojë të diskutojmë për territore. Unë mendoj se ne dhe afërsisht 70% e popullsisë së botës pajtohemi me këtë, si dhe shumica e vendeve në Kombet e Bashkuara e pranojnë” , tha Bërnabiq për Tanjug, transmeton Gazeta Sinjali.

Ajo tha se e mirëpret qëndrimin e Hotit, duke shtuar se “kështu ai pranoi që nuk ka diskutim për territore, se e ashtuquajtura Republika e Kosovës është jo-ekzistente dhe se territori i Republikës së Serbisë do të jetë ashtu siç ishte”.

“Unë mendoj se destabilizimi do të ishte për të gjithë rajonin por edhe për botën nëse do të flisnim për ndryshimin e kufijve”, theksoi Bërnabiq.

Ajo tha se 70% e popullsisë së botës, 96 anëtare të Kombeve të Bashkuara, si dhe Rezoluta 1244, nuk e njohin Republikën e Kosovës, ndërsa thotë se këtë e pranon edhe Hoti.

“Unë shoh që z.Hoti gjithashtu e pranon këtë. Nuk ka bisedime për territore dhe kufij. Faleminderit për këtë”, nënvizoi Bërnabiq.

Dje, Hoti prezantoi platformën e Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë, duke theksuar se ai do të udhëheqë dialogun dhe se integriteti territorial nuk do të jetë temë në të. /Gazeta Sinjali/