Sali Berisha foli në kuvendin kombëtar të PD edhe për vendimin e DASH për shpalljen e tij “non grata”. Berisha u shpreh se nuk ka asnjë provë ndaj tij dhe kërkoi rishqyrtim të vendimit.
Ai u shpreh se do të luftojë për të risjellë në pushtet Partinë Demokratike.
“Kam muaj që pres dhe asnjë fakt, asnjë dokument dhe provë. Për faktin e vetëm se nuk ekziston. U bëj thirrje zyrtarëve të DASH të çojnë në Paris çdo fakt çdo dokument që kanë, dhe u siguroj ju se unë marr çdo vendim për veten time“, ka thënë ai.
“Në të kundërt, duke qëndruar i përulur ndaj të vërtetës, do të vazhdoj i pathyeshëm misionin tim si besimtar i zotit dhe dinjitetit të njeriut. Beteja ime për rivendosjen e dinjitetit tim nuk do të ndalet kurrë. Ftoj DASH të rishqyrtojë vendimin e tyre sepse arroganca dhe gabimi nuk janë virtyte të njerëzve të lirë. Unë do të vazhdoj i palëkundur misionin tim për të përmbysur narkoshtetin në Shqipëri, për të rikthyer në pushtet PD-në si parti e vlerave të lirisë, si parti që në epiqendër ka qytetarin dhe interesat e tij, si parti që do të integrojë në BE Shqipërinë”, tha Berisha.