image Berisha: Sot, dje, pardje, krim bëri prokuroria, asnjëherë Rugova

Drejtësi

Berisha: Sot, dje, pardje, krim bëri prokuroria, asnjëherë Rugova

news image

Sot, në Gjykatën Themelore të Pejës është mbajtur seanca dëgjimore ndaj kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova dhe zyrtarëve të tjerë, raporton Gazeta Sinjali.

Në këtë seancë, Prokuroria Themelore në Pejë propozoi masën e arrestit shtëpiak ndaj Rugovës.

Pas përfundimit të kësaj seance, për media ka folur avokati i Rugovës, Besnik Berisha.

Berisha tha se prokuroria ka bërë krim e jo Rugova dhe zyrtarët e tjerë të Komunës së Istogut.

“Sot, krim bëri prokuroria, dje krim bëri prokuroria, pardje krim bërë prokuroria, asnjëherë zoti Rugova”, tha avokati.

Ai tha se në këtë seancë kanë propozuar prova të cilat thotë se hedhin poshtë të gjitha pretendimet e prokurorisë.

“Kemi dorëzuar prova për secilin pretendim, kemi dorëzuar prova që nuk bëhet fjalë për një falsifikim, kemi prova që nuk bëhet fjalë për shpronësim të kundërligjshëm, kemi dorëzuar prova që nuk bëhet fjalë për prona të shfrytëzuar nga mandati që kryeson në Komunën e Istogut, zoti Rugova. Pra çdo provë e dorëzuar sot rrëzon poshtë verbërinë e Prokurorisë, veshët e shurdhët të këtyre, për të hapë drejtim të plotë të ndriçimit të kësaj çështje”, tha Berisha.

Ai njoftoi se prokuroria është tërhequr nga propozimi për masën e sigurisë ndaj zyrtarit ligjor Faton Bujupi, i cili dyshohet se është hartues dhe përpilues i dokumentit që sipas prokurorisë është i falsifikuar.

Sipas tij kjo dëshmon se ndjekja penale ndaj Rugovës dhe të tjerëve është e instruktuar.

“Pra, për akterin kryesor, po e shihni se ku shkon djallëzia e një ndjekje të instruktuar, për akterin kryesor kinse, se për mua është plotësisht i pafajshëm, për akterin kryesor, në fund të mbylljes së propozimeve, prokuroria heq dorë, thotë ndaj tij tërhiqet propozimi por nuk mund të tërhiqet nga propozimi nga zoti Rugova, se po të tërhiqeshin sot, turpi nuk i mbulon as sot, as nesër, as sot 1 vjet, as sot 10 vjet është turp i organit të ndjekjes, por nuk do të mund të arsyetonin spektaklin e bërë dhe dëmin e shkaktuar deri më tani”, tha ai.

Berisha shprehu keqardhje që seanca është mbyllur për media. Sipas tij, është dashur që publiku ta dëgjojë “presekutimin” që thotë se ka ndodhur ndaj Haki Rugovës./Gazeta Sinjali/