image Berisha kërkon që të hetohen Rama dhe Basha për larje parash

Shqipëri

Berisha kërkon që të hetohen Rama dhe Basha për larje parash

news image

I rikthyer në parlament pas disa muajsh mungesë, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, hodhi akuza për pastrim parash në adresë të Edi Ramës e Lulzim Bashës.

“Kuvendi duhet të ndalet në dy krerët e Meduzës, të larjes së parave, kreun e Meduzës, Edvin Kristaq Rama, i akuzuar zyrtarisht nga OSBE për larjen e 200 milionë eurove në zonat offshore, të cilën s’e përgënjeshtroi kurrë, por jo më pak Lul Brava, i cili u hetua nga Prokuroria e Tiranës për larje parash dhe iu mbyll hetimi”, tha Berisha.

Berisha kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor duke e cilësuar maskaradë komisionin e Bashës për aferën e inceneratorëve.

“Pas 3 muajsh, zero hetim, sepse janë të zhytur. Është i zhytur si Edvin Droga, edhe Lulzim Brava. Duhet një komision hetimor i domosdoshëm për të hetuar kreun e Meduzës dhe Lul Bravën për këtë vepër penale…”

Për të provuar se si Basha ashtu edhe Rama janë të përfshirë në këtë skandal, të dy i akuzoi se në bashkëpunim me njëri-tjetrin po mbajnë të fshehur dy administratorët e inceneratorëve të shpallur në kërkim, Klodian Zoton dhe Stela Gugalljan.

“A e dini që e kanë mbajtur në Lushnje të fshehur kaçak Zoton deri para dy ditësh bashkë me Gugallën dhe i kërcënonte? Kjo aferë duhet të hetohet. Brava është me dy kahë. Çfarë janë udhëtimet e tij me Zoton? Pse nuk lejonte denoncimet nga aktivistët e PD-së? Të gjitha në ujdi me kreun e Meduzës”.

Në parlament zërin e ngriti edhe për konfliktin në Ukrainë, ku sërish shënjestroi Ramën e Bashën, ndonëse ky i fundit e kishte lënë seancën pak pasi Berisha mbërriti në parlament.

“Çfarë është kjo narkoqeveri dhe narkoparlament që nuk thotë një fjalë të vetme sikur janë klan i Putinit për Ukrainën?! Jam këtu për t’i shprehur solidaritetin të plotë në emër të PD-së popullit ukrainas. Shqipëria duhet të ndihmojë Ukrainën të paktën fishekë dhe municione. Por argati i Beogradit jo më kot hesht. Ju deputetë duhet të ngrini zërin, se përfaqësoni PD-në dhe jo Lul Bravën.”

Me Lulzim Bashën u mor si brenda ashtu edhe jashtë parlamenti, ku vijoi akuzat edhe për çështjen e prishjes së banesave në lagjen 5 Maji, duke dalë në mbështetje të banorëve të zonës që protestuan përpara parlamentit.

Pengut të Edi Ramës, siç i pëlqen ta etiketojë Bashën i kujtoi fundin që e pret në garën e 6 Marsit, ku tha se negociatat me aleatët, përfshi edhe LSI-në janë duke vijuar.

“Gjithçka mund të bëhet, por ne nuk ndalemi. Kam gjetur mekanizmin se si do i fitojmë zgjedhjet e 6 Marsit. Negociatat janë në vazhdim, ne do i fitojmë këto zgjedhje” tha Berisha. /Gazeta Sinjali/