Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha ka mbrojtur kryeministrin Avdullah Hoti për arritjen e marrëveshjes në Washington, ndërsa ka kritikuar “ata që u tutën” të shkojnë e të takohen me ish-presidentin amerikan, Donald Trump, duke aluduar në ish-kryeministrin Albin Kurti, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas Berishës, Kosova në situatë më të rëndë se tani ka qenë vetëm në kohën e luftës.
Gjatë seancës së Kuvendit e cila po mbahet tani, ai tha se është në përkrahje të kryeministrit, për të cilin tha se mori vendime të guximshme në procesin e dialogut me Serbinë.
“Shumë prej burrave nuk ua mbajti me shku me u taku me presidentin Trump, se u tutshin mos po iu del me një shpatë, se ai Trumpi nuk t’i vet letrat. E po të dilte një marrëveshje e keqe, do të thoshin (për Hotin) qe ky tradhtari. Po të ishte një marrëveshje e mirë, krejt kishin thanë na e kryjtem, se këtë Avdullahun e vogël nuk e pyet askush. Por, është pikërisht ky Avdullahu me syze që e mori guximin e shkoi e kreu marrëveshjen me Serbinë”, ka deklaruar deputeti i AAK-së. /Gazeta Sinjali/