image Berisha: Do të kërkojmë anulimin e votave të orkestruara nga Lista Serbe

Berisha: Do të kërkojmë anulimin e votave të orkestruara nga Lista Serbe

news image

Ish-deputeti i komunitetit egjiptian në Kuvendin e Kosovës, Veton Berisha, ka thënë se do të ankohen në të gjithë mekanizmat e drejtësisë për orkestrim të votave nga ana e Listës Serbe në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ai ka thënë se këtë gjë do ta bëjnë pas përfundimit të procesit të numërimit të votave.

“Në të vetmen rrugë ligjore që e kemi, është ushtrimi i të drejtës tonë për ankesë, po i presim rezultatet preliminare, pastaj KQZ-ja na jep të drejtën e ankesës sepse është fazë që kështu e përcakton ligji dhe ne do të ushtrojmë ankesën tonë. Do t’u drejtohemi institucioneve përkatëse në këtë rast PZAP-së, Gjykatës Supreme dhe Gjykatës Kushtetuese. Janë tre mekanizma që ne i pretendojmë, shpresojmë shumë, besojmë fuqishëm se qysh në nivelin e parë në PZAP ne do të marrim konfirmimin zyrtar i cili është në favor të së drejtës dhe të asaj që vërtete konstatohet se ka pasur orkestrim të votave”, është shprehur ai për Ekonomiaonline.

Berisha, i cili është udhëheqës i Partisë Liberale Egjiptiane(PLE), ka pohuar se do të kërkojnë anulim të votave pasi që në zgjedhjet e fundit është parë votë për Listën Serbe në zonat që nuk ekziston asnjë pjesëtar i komunitetit serb.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, sipas komuniteteve joserbe, ka pasur manipulim të votave nga Lista Serbe.

Një shqetësim të tillë e kanë ngritur edhe organizatat joqeveritare që merren me monitorimin e procesit zgjedhor, të cilat edhe kanë kërkuar hetim nga Prokuroria.

Nesër është paralajmëruar një protestë nga Shoqëria Civile lidhur me përfaqësimin e komuniteteve në Kuvend. /Gazeta Sinjali/