Marrja e detyrës nga ministri i ri i Jashtëm i Greqisë, George Gerapetritis, ka bërë që tonet kërcënuese ndaj Shqipërisë të zënë sërish vend në parlamentin helen.
Teksa prezantoi planin e tij për marrëdhëniet ndërkombëtare me qasje të diplomacisë ekstroverte në katër vitet e ardhshme, pasuesi i Dendias u ndal te raporti greko-shqiptar, duke drejtuar gishtin nga çështja Beleri.
Sipas Gerapetritis arrestimi i Fredi Belerit do të ndikojë në marrëdhëniet bilaterale dhe në saj të ecurisë së saj Greqia do të vendosë nëse do të kushtëzojë apo jo rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Fjalët e ministrit të ri grek u dukën edhe si një kërcënim i pastër, kur në lidhje me ndalimin e kryebashkiakut të Himarës për shit-blerje votash, ai tha se “Shqipëria duhet të respektojë shtetin e së drejtës nëse dëshiron vërtet të bëhet pjesë e familjes europiane”.
Kreu i diplomacisë helene po ashtu u zotua para deputetëve se do të bëjnë gjithçka për lirimin e Belerit.
“Greqia mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit, sigurisë dhe prosperitetit të Ballkanit Perëndimor dhe do të vazhdojë të marrë iniciativa për të përshpejtuar rrugën e tyre evropiane. Sidomos në lidhje me Shqipërinë, do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për t’i dhënë fund paraburgimit të vazhdueshëm të kryetarit të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri. Shqipëria duhet të respektojë shtetin e së drejtës nëse dëshiron vërtet të bëhet pjesë e familjes europiane”, u shpreh Gerapetritis në Kuvend.