Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, i është përgjigjur kritikave të gazetares Arbana Xharra lidhur me takimin dhe fotografinë në zyre të komunës me një përfaqësues nga Lindja e Mesme, shkruan Gazeta Sinjali.
Ai ka thënë se vetëm dy shtete i kanë dyert e mbyllura në këtë komunë, ato janë Serbia dhe Rusia.
“E kam thënë disa herë dhe po e përsëris, janë vetëm dy shtete që i kanë dyert e mbyllura në komunën Skenderaj, ato janë Serbia dhe Rusia. Çdokush tjetër që ka vullnet dhe ndihmon komunën dhe qytearët tonë pavarësisht përkatësisë fetare e etnike është i mirëseardhur në komunën që unë udhëheq.”, ka shkruar ai në Facebook.
Tutje ai ka sqaruar se personi që ka takuar në këtë komunë ka qenë nga Kuvajti, një humanist që ka ndërtuar Qendra të Mjekësisë Familjare dhe donacione të tjera.
“Për informimin e drejtë të opinionit publik, personi që ditën e enjte kam takuar, është një qytetar nga Kuvajti (shtet që ka njohur pavarësinë e Kosovës), një humanist që në disa komuna ka ndërtuar Qendra të Mjekësisë Familjare dhe donacione tjera për qytetarët me kushte jo të mira ekonomike.
Në Skenderaj ka ardhur për të ndërtuar qendrën rehabilituese për personat me nevoja të veçanta, qendër kjo shumë e nevojshme për të cilën tash e 22 vite pas luftës askush nuk u interesua të ndertojë”, ka shtuar ai
Kujtojmë se Arbana Xhara, gjatë ditës së sotme kishte shkruar në Facebook ku kishte akuzuar Bekim Jasharin, se po njollosë figurën e Adem Jasharit, duke pozuar pranë fotografisë së tij.
“Ne sfond po shkruan, “Qeverisje e mirë dhe transparente”. Kush është ky përfaqësues i Lindjes Mesme me aq rendësi sa për të pozuar me të krah fotografisë së heroit tonë? Per çfarë ka ardhë në Kosovë, investime ekonomike? Ndërtime të xhamive? Apo për çka? Mos e njollosni figurën tonë kombëtare Adem Jashari. Familja Jashari është sakrifikuar për liri e kauze kombëtare e jo për fe. Turp!”, ka shkruar ajo./Gazeta Sinjali/