Ish-kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka reaguar në lidhje me dënimin e krerëve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, të cilët u dënuan me nga katër vite e gjysmë burgim, si dhe me nga 100 euro gjobë nga Gjykata Speciale në Hagë, pasi u konstatua se qëllimshëm kishin zbuluar informacionet e mbrojtura dhe rrezikuan dëshmitarët.
Jashari thotë se duke besuar në drejtësi, ishte i bindur që ata do të shpallen të pafajshëm.
“Edhe një padrejtësi mbi çlirimtarët tonë. Me shqetësim mora lajmin që dy luftëtarët e Lirisë, kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe nënkryetari, Nasim Haradinaj, janë dënuar nga Gjykata Speciale në Hagë”, ka shkruar Jashari në llogarinë e tij në Facebook.
Ai po ashtu shtoi se ishte i bindur se gjykata do të gjykonte drejtë, duke hulumtuar rastin në tërësi dhe duke i parë gjërat në mënyrë objektive.
Tutje ai ka uruar që në Apel të përmirësohet ky gabim, i bërë ndaj luftëtarëve të lirisë.
Në fund, Jashari iu është drejtuar miqëve të tij, Gucatit dhe Haradinajt, duke i porositur që të vazhdojnë të mbesin të fortë, ngase kjo padrejtësi sipas tij, do të përfundojë dhe se prapë do të shihen në Kosovën e dashur.