Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka zhvilluar një bisedë telefonike me senatorët amerikanë, Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Pete Ricketts, lidhur me situatën në Kosovë.
Senatorët amerikanë, sipas një njoftimi të Presidencës serbe, i kërkuan Serbisë vetëpërmbajtje dhe bën thirrje për paqe.
“Murpy, Shaheen dhe Ricketts i thanë presidentit Vuçiq se ata kërkojnë vetëpërmbajtje nga Serbia dhe thirrje për paqe sepse kjo është në interesin më të mirë të të gjithëve në Ballkanin Perëndimor”, u tha në njoftimin e Presidencës serbe.
Sipas këtij njoftimi, gjatë kësaj bisede, tema e vetme ka qenë situata në veri të Kosovës.
Vuçiq u ka thënë senatorëve amerikanë se “qartazi dhe pa asnjë dyshim”, arrestimi i Millun Millenkoviq- Llune ishte provokim dhe një krim, që sipas tij, u krye nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Presidenti serb tha se Kurti po “tenton të provokojë një luftë në zemër të Evropës”.
“Serbia po bën gjithçka për të ruajtur paqen, por populli serb në Kosovë i është ekspozuar torturës dhe ndjekjes më të keqe në 15 vjetët e fundit”, citohet të ketë thënë Vuçiq.