image BE zgjat sanksionet ekonomike ndaj Rusisë deri në fund të korrikut

Evropë

BE zgjat sanksionet ekonomike ndaj Rusisë deri në fund të korrikut

news image

Këshilli i BE-së sot ka vendosur të zgjasë sanksionet që aktualisht synojnë sektorë të veçantë ekonomikë të Federatës Ruse, deri më 31 korrik 2022.

Vendimi i Këshillit vjen pas vlerësimit të fundit të gjendjes së zbatimit të marrëveshjeve të Minskut.

Sanksionet në fuqi, të prezantuara për herë të parë më 31 korrik 2014 në përgjigje të veprimeve të Rusisë, që destabilizojnë situatën në Ukrainë, kufizojnë aksesin në tregjet parësore dhe dytësore të kapitalit të BE-së për disa banka dhe kompani ruse dhe ndalojnë format e ndihmës financiare dhe ndërmjetësimit ndaj institucioneve financiare ruse.

Sanksionet kufizojnë më tej aksesin e Rusisë në disa teknologji të ndjeshme që mund të përdoren në sektorin energjetik rus, për shembull, në prodhimin dhe kërkimin e naftës.

Gjatë vlerësimit të gjendjes së zbatimit të marrëveshjeve të Minskut që ndodhën në Këshillin Evropian, më 16 dhjetor 2021, liderët e BE-së inkurajuan përpjekjet diplomatike dhe mbështetën formatin e Normandisë në arritjen e zbatimit të plotë të Marrëveshjeve të Minskut.

Përveç sanksioneve ekonomike, BE-ja ka vendosur lloje të ndryshme masash në përgjigje të aneksimit të paligjshëm të Krimesë dhe qytetit të Sevastopolit nga Rusia dhe destabilizimit të qëllimshëm të Ukrainës./GazetaSinjali/