image BE: Puna për formimin e Asociacionit të nisë pa shtyrje e parakushte

Politikë

BE: Puna për formimin e Asociacionit të nisë pa shtyrje e parakushte

news image

Pas dështimit të takimit të fundit ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, Bashkimi Evropian ka dalë me një komunikatë të gjatë.

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që puna për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të nisë pa ndonjë shtyrje të mëtejmë apo parakushte.

Josep Borrell, ka thënë se është i shqetësuar për mungesën e zbatimit të zotimeve të arritura në Marrëveshjen për normalizim dhe Aneksin e Zbatimit, për të cilat Kosova dhe Serbia u pajtuan më herët sivjet. BE-ja ka përkujtuar se marrëveshja është obligative dhe luan rol në rrugën evropiane të të dyja vendeve.

“BE-ja u kërkon palëve të angazhohen me konstruktivitet dhe mirëbesim. Kjo nënkupton nisjen e zbatimit bazuar në Propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejme, që gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të dialogut. Puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejmë”, thuhet në letrën e BE-së me kërkesat për Kosovën dhe Serbinë.

“BE-ja ua kujton palëve përgjegjësinë për të respektuar parimin e konfidencialitetit në dialog, komponentin kyç të çdo procesi negociator të ndjeshëm politik”, thuhet tutje në letër.

BE-ja ka thënë se është e shqetësuar për mungesën e përparimit nga palët në shtensionimin e situatës në veri.

“Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të BE-së dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, hapat e ndërmarrë deri tash mbesin të pamjaftueshëm dhe situata e sigurisë në veri mbetet e tensionuar”, thuhet në letrën e BE-së.

Bashkimi Evropian ka përsëritur se është e rëndësishme që të mbahen sa më shpejt zgjedhjet e reja në veri të Kosovës.

“BE-ja u bën thirrje të gjithë akterëve politikë, të të gjitha niveleve qeverisëse, në Kosovë e Serbi, të angazhohen me konstruktivitet në procesin që shpie në zgjedhjet e parakohshme në veri të Kosovës, që të shmangin hapat e mëtejmë të eskalimit dhe të përkrahin përparimin në dialog”, thuhet në letër.

/GazetaSinjali/