BE-ja ka rënë dakord unanimisht midis të gjitha vendeve anëtare për të pranuar refugjatë ukrainas deri në tre vjet pa u kërkuar atyre që të aplikojnë fillimisht për azil, tha ministri i brendshëm gjerman.
Rreth 18 milionë ukrainas pritet të preken nga konflikti në aspektin humanitar dhe rreth katër milionë të ikin nga vendi, tha më herët sot Janez Lenarcic, komisioneri për ndihmën humanitare dhe menaxhimin e krizave.
Agjencia e OKB-së për refugjatët thotë se numri i njerëzve që ikin nga Ukraina tani ka arritur në 368,000, me shumë në Poloni, Rumani, Hungari, Moldavi dhe Sllovaki.
Kryeministrja e Moldavisë Natalia Gavrilita vizitoi të shtunën pikën kufitare të Palancas, ku janë ngritur një fshat çadrash dhe objekte mjekësore.
“Në këto ditë të zeza për Ukrainën, ne qëndrojmë pranë qytetarëve të saj”, shkroi ajo në Twitter. “Moldavia do të ndihmojë ata që kanë nevojë për tranzit ose strehim të sigurt. Ne jemi me ju Ukrainë!”