Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi gjatë ditës së djeshme deklaroi se Bashkimi Evropian edhe zyrtarisht e ka emëruar diplomatin sllovak, Miroslav Lajçak si të dërguar special për dialogun Kosovë-Serbi, por që këtë e ka mohuar një zyrtar nga BE-ja.
Zëdhënësi i përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, Peter Stano, thotë se është i befasuar nga deklarata e pasaktë e presidentit Thaçi.
“I befasuar të shoh një deklaratë të tillë të gabuar dhe faktikisht të pasaktë, procedurat brenda BE-së janë duke vazhduar, asnjë vendim nuk është marrë, nuk është bërë asnjë emërim ose as nuk është shpallur, pasi të përfundojë procesi, ne do të njoftojmë zyrtarisht”, ka shkruar Stano në rrjetin social Twitter.
Teksa, gjatë ditës së djeshme presidenti Thaçi, tha se misioni i Lajçakut është i dështuar për shkak të historisë së tij për të ndaluar Sllovakinë ta njohë Kosovën.
“BE emëroi zyrtarisht të Dërguarin Special për dialogun Kosovë-Serbi. E përgëzoj për punën e këndshme që mori. Por misioni i tij i ri është krijuar të dështojë për shkak të historisë së tij për të ndaluar Sllovakinë të njohë Kosovën dhe të votojë kundër Kosovës në UNESCO”, kishte shkruar dje Thaçi në Twitter.
Bashkimi Evropian pritet të emërojë zyrtarisht një emisar të veçantë për bisedimet Kosovë-Serbi, si një angazhim të shtuar drejt rrugës për finalizim të një marrëveshjeje të mundshme ndërmjet të dyja shteteve. Për këtë pozitë është përmendur se do të emërohet ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, ndonëse një gjë e tillë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht./Gazeta Sinjali/