image BE: Nuk ka fonde nga IPA III pa e luftuar korrupsionin

Kosovë

Deklaratë/ BE: Nuk ka fonde nga IPA III pa e luftuar korrupsionin

news image

Kosova nuk do të mund të përfitojë më fonde nga IPA III, pa përmbushjen e reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian për luftimin e korrupsionit dhe ngritjen e kapaciteteve të institucioneve.

Kjo për arsye se BE ka ndryshuar politikat për alokimin e këtyre fondeve krahasuar nga IPA I dhe IPA II.

Kështu u tha sot në tryezën për IPA III të organizuar nga Instituti EPIK, ku ministri i Integrimit Evropian, Blerim Reka tha se integrimi në BE është prioritet strategjik i Qeverisë së Kosovës, ku sipas tij, planifikimi i IPA III, është në përputhje me programin e Qeverisë.

Ministri Reka theksoi se ka vullnet dhe gatishmëri të qeverisë për të vazhduar me përgatitjet për IPA III, i cili shtoi se do të vazhdojnë si qeveri të mbështesin procesin e stabilizim-asociimit.

“Ministria e Integrimit Evropian do të ndërmerr masa konkrete për të ngritur këtë kapacitet institucional, jo vetëm për hartimin e projekteve të IPA-s, por edhe për implementimin e tyre. Kjo pasi që fondet e IPA III do të shpërndahen mbi parimin e konkurrencës. Kosova më nuk do të gëzojë fonde të garantuara, por projektet e Kosovës do të jenë në konkurrencë me projektet nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, me fjalë të tjera po hymë në një garë financiare ose garë IPA regjionale nëse mund të quaj”, tha Reka.

Ndërsa, Luigi Brusa, nga Zyra e BE-së në Prishtinë, tha se në Kosovë legjislacioni dhe mbushja e hendeqeve ka ecur shumë shpejt, sidomos reformat më të mëdha ishin në administratën publike.

Por, sipas tij, çfarë nuk ka shkuar mirë dhe ka shkuar keq, është se korrupsioni, pasi akoma është i pranishëm dhe këto reforma janë sfida.

Ai tha se për të përfituar fondet nga IPA III, duhet të luftohet korrupsioni, krimi i organizuar, si dhe të funksionojë ligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

“Për arsye të disa aspekteve zhgënjyese të IPA I dhe IPA II dhe zbatimit të tyre, për IPA III janë ndryshuar rregullat. Tani alokimet nuk jepen më si avancë secilit shtet veç e veç, por çdo shtet do ta ketë mbështetjen në bazë të performancës dhe në bazë të rezultateve që do t’i arrijnë. Ky është mesazhi kryesor i IPA III. Me IPA II, ne kemi anuluar dy-tri projekte, kur u ri-alokuan projektet. Pse? Sepse nuk kishte përgjegjësi nga ana e Qeverisë”, tha Brusa.

Nga Instituti EPIK, Demush Shasha, tha se janë fondet e BE, duke iu referuar kritereve të reja për IPA III, tha se nuk ka më dhurata falas për fondet e IPA III, pasi sipas tij, çdo ditë e më shumë po kërkohen nga BE-ja më shumë e më shumë, reforma në për procesin integrues drejt BE.

“Ne po shohim çdo ditë e më shumë Bashkimi Evropian nga secili vend i Ballkanit Perëndimor po kërkon më shumë e më shumë. Reforma më të prekshme, reforma të pakthyeshme në rrugën e tyre drejt BE-së… IPA III me fjalë të tjera do vendoset mbi parimet e suksesit të vendeve të Ballkanit në ndërmarrjen e reformave. Tani kjo ka dy mesazhe, mund të jetë pozitive, sepse po i bënim reformat kemi mundësi që të marrim më shumë mjete, më shumë projekte. Po nuk i bëmë, është e kundërta”, theksoi Shasha.

Po ashtu, në këtë tryezë u tha se derisa institucionet e BE-së po ecin me shpejtësi të plotë përpara në përgatitj et e tyre për kornizën financiare 2021-2027, Kosova duhet të bëjë të njëjtën gjë.

Ndryshe, Kosova nga IPA II, kishte përfituar 602 milionë euro për shtatë vitet e fundit, ndërsa IPA III parasheh përkrahjen për periudhën 2021-2027. /Gazeta Sinjali/