Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell dhe komisioneri Oliver Varhelyi kanë dalë me një deklaratë të përbashkët pas dënimit të kriminelit të luftës Ratko Mladiq, shkruan Gazeta Sinjali.
Ata thanë se dënimi i tij i jep fund një gjykimi kryesor në historinë e fundit të Evropës për krime lufte, përfshirë gjenocidin, i cili ndodhi në Bosnjë dhe Hercegovinë.
“Duke kujtuar ata që humbën jetën, ngushëllimet tona më të thella janë me të dashurit e tyre dhe ata që mbijetuan. Ky gjykim do të kontribuojë në ngushëllimin e të gjithë atyre që vuajtën. BE pret që të gjithë aktorët politikë në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Ballkanin Perëndimor të demonstrojnë bashkëpunim të plotë me gjykatat ndërkombëtare, të respektojnë vendimet e tyre dhe të pranojnë pavarësinë dhe paanësinë e tyre”, shkruan në deklaratën e tyre.
Borell dhe Varhelyi kanë thënë se mohimi i gjenocidit, revizionizmi dhe lavdërimi i kriminelëve të luftës kundërshtojnë vlerat më themelore evropiane.
Më tutje, ata shtuan se vendimi i sotëm është një mundësi për udhëheqësit në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe rajon për të nderuar viktimat dhe për të promovuar një mjedis që i shërben pajtimit dhe për të kapërcyer ato që la lufta pas.
Sipas kësaj deklarate, ky është një parakusht për stabilitetin dhe sigurinë e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe thelbësor për rrugën e saj në BE.
“Gjykatat ndërkombëtare dhe vendore në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në vendet fqinje duhet të vazhdojnë misionin e tyre për të siguruar drejtësi për të gjitha viktimat e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit dhe familjarëve të tyre. Nuk mund të ketë pandëshkueshmëri”, thuhet më tej në këtë komunikatë të përbashkët. /GazetaSinjali/