image BE jep detaje për takimin në Bruksel, fokusi te depërshkallëzimi dhe zbatimi i marrëveshjeve nga dialogu

Politikë

BE jep detaje për takimin në Bruksel, fokusi te depërshkallëzimi dhe zbatimi i marrëveshjeve nga dialogu

news image

Zëdhënësja e BE-së, Nabila Masrali tha se takimi në të cilin liderët e Serbisë dhe Kosovës janë ftuar nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, në Bruksel duhet të fillojë rreth orës 14:00 dhe se fokusi do të jetë gjetja e mënyrave për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të zbatohen marrëveshjet e dakorduara në dialog.

“Takimi duhet të fillojë rreth orës 14:00, fokusi është gjetja e mënyrës për të de-përshkallëzuar situatën sa më shpejt të jetë e mundur dhe fokusimi në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog, veçanërisht Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit… Çfarë Mund të them se dy liderët do të jenë në Bruksel”, tha Masrali.

Siç tha ajo, nuk mund të komentojë dhe të parashikojë se si do të zhvillohen gjërat.

Gjithashtu, është bërë e ditur se Përfaqësuesi i Lartë i Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme, Josep Borrell, sot në Bruksel do të zhvillojë një sërë takimesh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Borrell ka bërë të ditur se i ka dërguar thirrje urgjente Kurtit dhe Vuçiqit për t’u takuar në Bruksel.

Presidenti Vuçiq ka deklaruar se nuk do të flasë me Kurtin, por vetëm me Borell, të cilit do t’i prezantojë një raport për gjendjen shëndetësore të serbëve të arrestuar në Kosovë.

BE-ja theksoi se me Kurtin dhe Vuçiqin do të fokusohet në gjetjen e mënyrës për përshkallëzimin e situatës në veri në mënyrë që palët t’i kthehen zbatimit të marrëveshjes.

“Pas ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës, Përfaqësuesi i Lartë, i mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak, sot do të presë një sërë takimesh për menaxhimin e krizave me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Bisedimet do të fokusohen në gjetjen e mënyrat për të de-përshkallëzuar tensionet aktuale në mënyrë që të kthehen në zbatimin e marrëveshjeve nga dialogu, veçanërisht Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit”, thuhet në deklaratën e BE-së.

/GazetaSinjali/