image BE: Jemi të përgatitur për një luftë të gjatë në Ukrainë

Evropë

BE: Jemi të përgatitur për një luftë të gjatë në Ukrainë

news image

Bashkimi Europian është i përgatitur për një luftë të gjatë në Ukrainë dhe do të mbështesë Kievin kundër agresionit të Rusisë për aq kohë sa duhet, tha të mërkurën ministri i Jashtëm suedez Tobias Billstrom, vendi i të cilit mban presidencën e BE-së.

“Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të Rusisë për të na përçarë, uniteti brenda BE-së dhe përtej Atlantikut ka qenë i fortë. BE-ja është e përgatitur për një luftë të gjatë dhe do të vazhdojë të qëndrojë në krah të Ukrainës me mbështetje politike, ekonomike, ushtarake dhe humanitare për aq kohë sa duhet”, tha Billstrom në një konferencë shtypi.

Ai tha se BE do të vazhdojë të punojë për më shumë sanksione kundër Moskës për pushtimin e Ukrainës pas nëntë paketave të masave të miratuara nga blloku 27-vendesh që nga fillimi i pushtimit në shkurt të vitit 2022.

“Sanksionet janë mjeti më i mirë i BE-së për të ndihmuar Ukrainën të fitojë këtë luftë, që është qëllimi përfundimtar i asaj që ne po bëjmë”, tha Billstrom.

Zyrtarët thanë se sanksionet e reja mund të përfshijnë më shumë ngrirje asetesh dhe ndalime udhëtimi për individët rusë të përfshirë në luftë dhe më shumë kufizime në shitjet në Rusi të mallrave të BE-së që mund të përdoren për qëllime ushtarake.

/GazetaSinjali/