image BE-ja thotë se puna rreth dialogut është duke vazhduar

Kosovë

BE-ja thotë se puna rreth dialogut është duke vazhduar

news image

Nga Bashkimi Evropian kanë njoftuar për Gazetën Sinjali se puna rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është duke vazhduar.

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano, tha për Sinjalin se emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është i angazhuar rreth kësaj çështjeje.

“Puna në lidhje me dialogun po vazhdon. Lajçaku po vazhdon kontaktet e tij me partnerë në rajon, në BE dhe ndërkombëtarisht. Sa i përket takimeve të ardhshme, do t’ju njoftojmë në një kohë më të përshtatshme”, tha Stano.

Stano gjithashtu tha se sa i përket takimeve me zyrtarë në Kosovë, u takon këtyre të fundit që të vendosin se kush duhet të jetë negociator, pasi sipas tij, “autoritetet kosovare duhet të vendosin vet se si të përfaqësohen më së miri interesat e tyre”.

Edhe sa i përket marrëveshjes përfundimtare, zëdhënësi i BE-së tha se kjo varet nga Kosova dhe Serbia.

Dialogu pritet të jetë një ndër sfidat e 2021-s për Kosovën. Më 14 shkurt, Kosova mban zgjedhjet e parakohshme, e deri pasi të dalë qeveria e re, pritet rinisja e dialogut e ku qeveria e re do të trashëgojë sfidat dhe punët tjera të mbetura nga qeveritë e kaluara.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë së fundmi rinisi në korrik të vitit 2020, ku kryeministri tashmë në detyrë Avdullah Hoti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, mbajtën takim të nivelit të lartë. Në shtator u mbajt edhe një takim i këtij niveli. Nga atëherë, s’janë zhvilluar takime tjera që do ta çonin përpara dialogun që nënkupton edhe një marrëveshje përfundimtare.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, së fundmi ka deklaruar se derisa të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi më 2022, nuk do të ketë njohje të Kosovës.

/Gazeta Sinjali/