image BE-ja nuk dëshiron të humb kohë, kërkon menjëherë fokus për targat dhe Asociacionin

Rajon

BE-ja nuk dëshiron të humb kohë, kërkon menjëherë fokus për targat dhe Asociacionin

news image

Pas arritjes së pajtimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për përdorimin e dokumenteve të identitetit për kalimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, fokusi, sipas burimeve diplomatike në Bruksel, pritet të jetë në vazhdimin e përpjekjeve për çështje të tjera – disa prej të cilave konsiderohen si urgjente.

Në Bashkimin Evropian besojnë se arritja e kompromisit për dokumente, për të cilin njoftoi përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep Borrell, të shtunën, do të ndihmojë shumë për t’i ulur tensionet midis Kosovës dhe Serbisë dhe për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

Ky sukses, nga diplomatët në BE, cilësohet edhe si dëshmi se kur veprojnë së bashku BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, arritja e qëllimeve është më e lehtë.

Por, rikujtojnë diplomatët në Bruksel, mbeten edhe disa çështje të tjera që duhen zgjidhur, e për të cilat palët janë shumë larg në qëndrime.

Çështje urgjente vazhdon të konsiderohet ajo e targave të veturave. Në BE pohojnë se angazhimi aktiv do të vazhdojë, me qëllim të arritjes së një kompromisi edhe rreth kësaj teme. Kjo çështje, thonë diplomatët në Bruksel, ka potencial për të krijuar tensione në terren.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të gjithë shoferët në Kosovë, që vozisin makina me targa të lëshuara nga Serbia, t’i zëvendësojnë ato me targa RKS – Republika e Kosovë.

Njëra është ajo e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Këtë e kërkon Serbia, duke pasur edhe mbështetjen e BE-së dhe mirëkuptimin e SHBA-së.

Por, problem mbetet refuzimi i Qeverisë së Kosovës që të diskutohet për të dhe refuzimi i Serbisë që Asociacioni të krijohet sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

“Të shohim së pari propozime konkrete nga Kosova për formimin e tij [Asociacionit]. E, atëherë do të shohim se cilat mund të jenë implikimet ligjore”, ka thënë një burim i BE-së kur është pyetur se a është edhe qëndrim i BE-së, sikur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që Asociacioni duhet të jetë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

/GazetaSinjali/