image BE-ja arrin marrëveshje ambicioze për energji të ripërtëritshme

Botë

BE-ja arrin marrëveshje ambicioze për energji të ripërtëritshme

news image

Parlamenti i Bashkimit Evropian dhe vendet anëtare të këtij blloku e arritën të enjten një marrëveshje që deri në vitin 2030 pothuajse ta dyfishojnë përqindjen e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në konsumin e përgjithshëm të bllokut 27-vendësh.

Kjo marrëveshje e përkohshme politike synon ta rrisë përqindjen e burimeve së ripërtëritshme të energjisë, si era dhe dielli, në 42.5 për qind, nga 22 për qind që është aktualisht.

Marrëveshja u bë e ditur përmes një deklarate të Këshillit të BE-së, e cila përfaqëson qeveritë kombëtare të bllokut.

Më herët, BE-ja kishte synuar që deri në vitin 2030 të mbulonte 32 për qind të konsumit të përgjithshëm të energjisë përmes burimeve të ripërtëritshme.

BE-ja ka vendosur këtë synim ambicioz pasi mësyn të bëhet një ekonomi “neutrale klimatike” deri në vitin 2050, përmes uljes së emetimeve neto të gazrave serrë në zero.

Aktualisht ka dallime të mëdha mes vendeve anëtare të BE-së në nivelin e përdorimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Suedia kryeson 26 vendet anëtare me 63 për qind të konsumit të mbuluar nga burimet e ripërtëritshme. Ndërsa, në Luksemburg, Maltë, Holandë dhe Irlandë, burimet e ripërtëritshme mbulojnë vetëm më pak se 13 për qind të konsumit.

Kjo marrëveshje vjen gjithashtu pasi BE-ja ka tentuar të ulë varësinë e saj nga karburantet fosile ruse pasi Moska ndërpreu furnizimet me gaz vitin e kaluar dhe blloku vendosi kufizime për naftën e papërpunuar dhe produktet e tjera të naftës nga Rusia.

Për t’i arritur këto synime, BE-ja do të duhet të bëjë investime të mëdha në prodhimin e energjisë nga era dhe dielli, si dhe të shtojë prodhimin e gazrave të rinovueshme dhe ta përforcojë rrjetin e energjisë në Evropë.

Komisioni Evropian ka thënë se deri në vitin 2030 do të nevojiten investime shtesë prej 113 miliardë eurosh në energjinë e ripërtëritshme dhe infrastrukturën e hidrogjenit, nëse vendet e BE-së duan t’i japin fund varësisë së tyre nga karburantet fosile ruse.

Marrëveshja duhet të miratohet nga Parlamenti i BE-së dhe vendet e BE-së për t’u bërë ligj, por kjo procedure është zakonisht një formalitet./REL/

/GazetaSinjali/