Këshilli i Bashkimit Evropian, emëroi të premten ish ministrin e punëve të Jashtme të Sllovakisë, Miroslav Lajçak, si Përfaqësues të Posaçëm të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.
Përmes një njoftimi, Këshilli thotë se “detyrat e Përfaqësuesit të ri Special të BE-së do të jenë arritja e një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, përmirësimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe pajtimi midis partnerëve në Ballkanin Perëndimor, duke i ndihmuar ata të kapërcejnë trashëgiminë e së kaluarës”.
Mandati fillestar i Lajçakut do të jetë 12 muaj.
Se do të ndodhte emërimi i Lajçakut në këtë pozitë, ishte paralajmëruar shumë më herët nga burime brenda Bashkimit Evropian.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte deklaruar se “misioni i tij është i paracaktuar të dështojë”.
“Misioni i tij është krijuar të dështojë për shkak të angazhimit të tij për të ndaluar Sllovakinë që ta njohë Kosovën”, kishte deklaruar Thaçi.
Lajçak është një diplomat sllovak që më parë ka shërbyer si ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë dhe si president i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për seancën e 72-të (2017-2018).
Ai ishte Përfaqësues Special i BE-së për Bosnje-Hercegovinën në vitet 2007-2009, ndërsa gjithashtu vepronte si Përfaqësuesi i Lartë i komunitetit ndërkombëtar atje.
Si një i dërguar personal i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Lajçak në emër të Bashkimit Evropian, mbikëqyri referendumin për pavarësinë e Malit të Zi më 2006.