image BE e ndarë/ Gjermania dhe Franca kundërshtojnë ndalimin e vizave për rusët

Evropë

BE e ndarë/ Gjermania dhe Franca kundërshtojnë ndalimin e vizave për rusët

news image

Blloku evropian shfaqet i përçarë përballë propozimit të disa vendeve anëtare për t`i ndaluar rusëve vizat turistike për shkak të luftës në Ukrainë.

Pengesë kryesore për vënien në jetë të kësaj ideje, po bëhet Franca dhe Gjermania. Dy vendet nxorën një deklaratë të përbashkët ku pretendojnë se çështja e kufizimit të vizave për rusët do të ishte kundërproduktive, pikërisht në kohën kur BE-ja “po tenton të fitojë “zemrat dhe mendjet” e rusëve që nuk e mbështesin agresionin e paprovokuar të Moskës ndaj Ukrainës.

Deklarata:

“Ne duhet të mendojmë për mënyra të mençura për të përdorur këtë levë të rëndësishme, që është lëshimi i vizave. Teksa kufizojmë kontaktet me përfaqësuesit e regjimit dhe autoriteteve në tema të interesit vital të BE-së, ne duhet të luftojmë në mënyrë strategjike për të fituar zemrat dhe mendjet e popullatës ruse, të paktën e atyre segmenteve që nuk janë shkëputur krejtësisht nga Perëndimi”.

Që ndalimi i vizave për rusët të bëhet realitet, nevojitet një vendim unanim i të 27 shteteve anëtare, i cili ta shndërrojë këtë në sanksion të ri kundër Moskës për shkak të agresionit të saj ndaj vendit fqinj.

Shtetet që ndajnë kufirin me Rusinë, shtetet e Baltikut, Polonia dhe Finlanda janë nismëtare për vendosjen e kufizimeve sa i përket lëshimit të vizave turistike për rusët.

Brukseli ka vendosur ndalesa në fluturimet nga Rusia, e për këtë arsye, shumica e udhëtarëve përdorin kufijtë tokësorë për të lëvizur drejt vendeve të bllokut europian.

/GazetaSinjali/