Bashkimi Evropian dhe Izraeli kanë zhvilluar bisedime të nivelit të lartë për herë të parë në 10 vjet, ndërsa prioritet mbetet të jetë zgjidhja mbi konfliktin me Palestinën.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, gjatë takimit të “Këshillit të Asociimit” të së hënës së 3 tetorit, ka thënë se ai ishte “i inkurajuar” nga mbështetja e fundit për një rezultat të tillë nga kryeministri izraelit, Yair Lapid.
“Kjo është gjithashtu ajo që ne duam të shtyjmë. Ne duam rifillimin e një procesi politik që mund të çojë në një zgjidhje me dy shtete dhe një paqe gjithëpërfshirëse rajonale”, ka thënë Borell.
Takimi ishte i pari i këtij lloji midis dy palëve që nga korriku i vitit 2012. Ndërsa bisedimet kanë rifilluar, perspektivat për paqe duken të pakta, raporton Al Jazeera.
Pushtimi ushtarak i Izraelit në Bregun Perëndimor është tani në vitin e tij të 55-të.
Bisedimet e fundit të vërteta të paqes përfunduan në vitin 2009 dhe kritikët thonë se rritja e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor dhe gjetkë minon çdo shpresë për një zgjidhje.
Borrell paralajmëroi se BE-ja ishte “e shqetësuar për tensionet dhe dhunën e vazhdueshme në terren dhe vazhdimin e masave të njëanshme, si zgjerimi i vendbanimeve dhe çështjet e sigurisë”.
“Ky vit është viti në të cilin ka pasur numrin më të madh të vdekjeve palestineze që nga viti 2007 dhe transferimet e detyruara vazhdojnë”, ka shtuar ai.
Palestinezët kërkojnë të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar së bashku me Jerusalemin lindor të aneksuar nga Izraeli dhe Rripin e Gazës, të kontrolluar nga grupi palestinez Hamas, për një shtet të ardhshëm.
Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së muajin e kaluar, presidenti palestinez, Mahmoud Abbas tha se besimi i vendit të tij në arritjen e një paqeje të bazuar në drejtësi dhe ligj ndërkombëtar po zbehet, për shkak të politikave okupuese izraelite.
Ai akuzoi Izraelin se vazhdonte të ndiqte një “fushatë të furishme për të konfiskuar tokat e tyre” dhe tha se ushtria e vendit “po vriste popullin palestinez” pa u ndëshkuar.