image Bastisjet dhe ndalimet e fundit të Speciales, reagon KMDLNJ

Kosovë

Bastisjet dhe ndalimet e fundit të Speciales, reagon KMDLNJ

news image

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut ka reaguar rreth rastit të bastisjes së banesës së vëllezërve Fazliu në Prishtinë dhe ndalimin e Rrustem Mustafës – Remit me kërkesë të Gjykatës Speciale.

Ky këshill përmes një komunikate për media ka thënë se këto ngjarje po sjellin një shqetësim të madh per drejtësine e sovranitetit tonë.

“EULEX-i doli me një sqarim; se ata nuk kanë marrë pjesë në bastisje e as në arrestim në ndërkohë që intervistimet dhe të arrestuarit dërgohen në bazën e EULEX- it”,thuhet në komunikatë.

Tutje KMDLNj ka akuzuar EULEX-in për mosbesim ndaj Policisë së Kosovës.

“Edhe të arrestuarit apo të dënuarit e Gjykatës Raciste të Hagës gjatë vizitave humanitare në Kosovë pjesën më të madhe të kohës e kalojnë në njësinë e paraburgimit në bazën e EULEX-it që nënkupton se aspak nuk i besojnë Policisë së Kosovës, madje e shpërfillin dhe e nënçmojnë profesionalizmin e saj sikur që ishte me rastin e ofrimin e garancioneve për mbikëqyrje dhe zbatim të masave alternative nëse eventualisht masa e paraburgimit i zëvendësohet ndonjërit nga të burgosurit me ndonjë masë më të butë”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Në reagim më tej theksohet se “nuk ndodhë në një vend normal që persona të paidentifikuar, në çdo kohë dhe kur të duan, pa dijen e autoriteteve vendore të arrestojnë, intervistojnë shtetasit tuaj e që nuk ka ndodhur as në diktaturat më brutale”.

Banesa e vëllezërve Fazliu u bastis dje në mëngjes ku sipas familjarve u morën disa materiale, fotografi, libra, ndërsa pak orë më vonë u raportua për ndalimin e Rrustem Mustafës.

/GazetaSinjali/