Bashkimi ka mundur Prishtinën 54:69 (16:16, 15:8, 13:24, 10:21), për të triumfuar në Kupën e Kosovës në konkurrencën e femrave.
Periudha e parë ishte shumë e barabartë dhe rivalizuese, ku shpesh herë u barazua rezultati dhe asnjëra skuadër nuk arrinte të shkëputej në epërsi, duke bërë që kjo pjesë të përfundojë me rezultat 16:16. Por, në periudhën e dytë prishtinaset ishin më të mira, duke arritur epërsi prej tetë pikësh 28:20, ndërsa skuadrat shkuan në pushim me rezultat 31:24.
Vashat prizrenase rikthehen fuqishëm në periodën e tretë, ku barazuan rezultatin në 33:33, e më pas zhvillohet lojë e baraspeshuar, kurse shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 44:48, duke bërë që dhjetë minutat e fundit të ishin shumë interesante. Megjithatë, në periudhën e fundit, prizrenaset ishin shumë më të mirë, ku i lejuan prishtinaset të shënojnë vetëm dhjetë pikë, ndërsa shënuan 21, duke triumfuar me rezultat 54:69.
Medaljet i kanë ndarë kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, kryetari i KB Peja, Fatmir Gashi dhe dy anëtarët e Bordit të FBK-së, Valton Bilalli dhe Leart Hoxha.
MVP e turneut është shpallur Sarra Vraniqi, çmim të cilin ia ndau Linda Shala, nënkryetare e FBK-së. /Gazeta Sinjali Sporti/