Vëzhguesit e misionit të Bashkimit Evropian kanë përpiluar deklaratën preliminare për raportimin e mediave në Kosovë gjatë fushatës zgjedhore, por edhe monitorimin e 10 ditëve para fushatës.
Në raportin e siguruar nga Gazeta Sinjali, vlerësimi është dhënë pozitiv për raportimin e RTK-së gjatë edicionit të lajmeve, por jo edhe për portalin RTKlive, i cili është nën menaxhimin e Mentor Shalës.
Në këtë raport thuhet se portali i RTK-së ka favorizuar PDK-në. Aty mes të tjerash thuhet se RTK ka raportuar më shumë për PDK-në dhe në kontekstin pozitiv.
Vlerësohet qartë se portali i RTK-së ka raportuar në kontekstin negativ për LDK-në.
“Vëzhguesit e Bashkimit Evropian kanë monitoruar sesi RTK i ka mbuluar 10 ditët e fundit para fushatës dhe në periudhen gjatë fushatës për të parë se a kanë ofruar raportim të balancuar politik dhe përfaqësues gjatë edicionit të lajmeve”.
“Megjithatë në lajmet e ueb faqes PDK është mbuluar pozitivisht me më shumë mbulushmëri sesa për paritë e tjera dhe me raste të raportimeve negative për LDK-në”, thuhet në raportin e vëzhguesve të BE-së.
Përveç këtij raporti, derisa Lëvizja Vetëvendosje po printe kur duhet të numëroheshin edhe rreth 10% të votave, RTK kishte zgjedhur ta transmetonte një dokumentar.
E drejtori i ueb-faqes së mediumit publik, RTKlive, Mentor Shala, e kishte përjetuar shumë keq rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ai i kritikoi qytetarët që votuan për VV-në, duke i quajtur ata “pro-rusë”.
Ueb-faqja e RTK-së, sikurse edhe televizioni, gjatë gjithë fushatës zgjedhore ka qenë në shërbim të PDK-së dhe tani ish-kandidatit të saj për kryeministër, Kadri Veselit. Kjo nuk ka ndryshuar as pas përfundimit të zgjedhjeve.
RTK ka shprehur mbështetje të dukshme për Veselin duke propaganduar vazhdimisht pro tij dhe duke sulmuar kundërkandidatët e tij për kryeministër.
Rasti më eklatant ishte pak para zgjedhjeve kur mediumi amerikan “New York Post” kishte shkruar një artikull kritik të titulluar “Politikani kosovar (Veseli) e etiketon veten si fansi më i madh i Trumpit në përpjekje për t’i fituar zgjedhjet”, ku shpërfaqej keqpërdorimi i një fotografie të Veselit me Trumpin të vjetër gati 3 vjet. Këtë shkrim, RTK e kishte interpretuar si shumë pozitiv për kryetarin e PDK-së. /Gazeta Sinjali/