Bashkësia Islame, Kisha Katolike, Kisha Protestane Ungjillore dhe Bashkësia Hebraike e Kosovës kanë kundërshtuar bashkërisht nismën ligjore për përfshirjen e martesave të gjinisë së njëjtë në Kodin Civil të Kosovës.
Këto bashkësi kanë kundërshtuar çdo “ndryshim, ripërkufizim apo riinterpretim të neneve për familjen, martesën dhe statusin e bashkëshortëve në vendin tonë”.
Në një konferencë për media, përfaqësuesit e katër bashkësive fetare publikuan një deklaratë të përbashkët për media. Kundërshtuan njëzëri ndryshimet e iniciuara në projekt-kodin civil të Kosovës.
“Bashkësitë fetare të Kosovës mbesin të bashkuara dhe me një zë të vetëm para ligjvënësve të Kuvendit të Kosovës, para qeverisë dhe institucioneve të tjera, që të heqin dorë prej çdo ndryshimi, prej çdo ripërkufizimi, prej çdo riinterpretimi të neneve për familjen, martesën dhe statusin e bashkëshortëve në vendin tonë”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Martesat e gjinisë së njëjtë në Kosovë i lejon Kushtetuta, por deri më tani ato nuk janë lejuar me Kodin Civil dhe Ligji për familjen.
Në Kushtetutën e Kosovës thuhet “se në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.
Projektkodi Civil thotë se “martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”.
Por, neni i radhës thotë se “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara” dhe se kushtet dhe procedura lidhur me këtë rregullohen me ligj të veçantë.