image Banorët e Orllanit shprehen të shqetësuar pas lajmit për mbylljen e nënstacionit të Policisë

Siguri

Banorët e Orllanit shprehen të shqetësuar pas lajmit për mbylljen e nënstacionit të Policisë

news image

Nga nesër është planifikuar të mbyllet nënstacioni i Policisë në Orllan. Derisa banorët e këtij fshati të Komunës së Podujevës me fshatrat përreth shprehen të shqetësuar lidhur me këtë vendim. Derisa Policia e Kosovës mohon mbylljen e nën stacionit, raporton Gazeta Sinjali.

Rexhep Zeka banor nga Orllani, tha për Gazetën Sinjali se banorët e këtij fshati me fshatrat përreth shprehin shqetësimin lidhur me informatën se me datën 16 nëntor do të mbyllet nënstacioni i Policisë në Orllan.

“Ne e dimë që kjo zonë është kryesisht malore dhe gjendet përreth zonës kufitare me Serbinë. Poashtu është zonë mjaft e thellë (largët) nga tereni gjeografik i qytetit të Podujevës si dhe në vazhdimësi është duke u zgjeruar edhe si zonë atraktive për turizëm”, tha Zeka.

Më tej ai thekson se duke pasur parasysh këtë trend të zhvillimit të kësaj zone, rritet edhe nevoja për siguri më të madhe, andaj institucionet shtetërorë do duhej të ndërtonin një strategji më efektive të sigurisë publike.          

“Por fatkeqësisht me këtë informatë që kemi, po ndodh e kundërta. Më shumë të drejt ne banorët e këtyre fshatrave jemi të shqetësuar për vendimin e lartpërmendur duke e ditur se stacioni më i afërt i policisë së rendit do të mbetet 22 kilometra larg fshatit Orllan dhe rreth 27 kilometra do ta kenë larg fshatrat tjera siç janë Berveniku, Brain etj”, tha Zeka. 

Sipas tij me qëllim ose pa qëllim, me vetëdije ose pa vetëdije këto nëntëmbëdhjetë fshatra po bëhen  vende potencialisht të pa sigurta për banoret e tyre.

Lidhur me këtë shqetësim Rexhep Zeka tregoi se i kanë informuar edhe me vendimmarrësit dhe institucionet e sigurisë: Zyrën e Kryeministrit, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Drejtorinë e Policisë së Kosovës, Komisionin për çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“I apelojmë të gjitha institucionet që të ndërmarrin masa në këtë drejtim dhe mos të zbatohet vendimi për largimin e nënstacionit policor në Orllan”, tha banori Zeka.

Nga Zyra për media e Policisë së Kosovës theksojnë për Gazetën Sinjali, se qasja operative e Policisë së Kosovës në terren do aplikohet sipas zonës sektoriale me prezencë policore 24/7h  edhe në nënstacionin e Orllanit.

“Nuk  do të ketë mbyllje, por ri-organizim të burimeve njerëzore në funksion të efikasitetit, efektivitetit operacional që për bazë kanë ngritjen e sigurisë për komunitetin”, thonë nga Policia e Kosovës.

/GazetaSinjali/