image Banorët e Klinës kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos, protestojnë para Komunës

Sociale

Banorët e Klinës kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos, protestojnë para Komunës

news image

Sot, rreth orës 8:00 në mëngjes, në qytetin e Klinës, rreth 70 qytetarë janë grumbulluar para Kuvendit Komunal, në shenjë proteste kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos e cila është planifikuar të ndërtohet në bjeshkën e fshatit Gremnik, shkruan Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se banorët e fshatrave përreth kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për ndërtimin e kësaj fabrike, pasi që pretendojnë se ndërtimi i saj do të shkaktonte dëme në shëndetin e banorëve sepse materiet që liron ajo konsiderohen kancerogjene dhe të rrezikshme për jetën e njeriut.

Për të diskutuar pakënaqësitë e tyre, në emër të banorëve protestues, tre përfaqësues të protestës kanë mbajtur një takim me drejtorin e urbanizmit, i cili ua ka sqaruar procedurat rreth ndërtimit të asaj fabrike.

Pavarësisht sqarimeve dhe arsyetimit të dhënë nga drejtori i urbanizmit, se pronari i posedon të gjitha dokumentet e nevojshme për ndërtimin e fabrikës, banorët sërish kanë kërkuar që të ndërpriten punimet, derisa komisioni i caktuar nga asambleja komunale të dalë me një vendim tjetër.

Me të përfunduar protesta, protestuesit janë larguar të qetë dhe çdo gjë ka vazhduar në normalitet.

Kujtojmë se kjo nuk është protesta e parë kundër ndërtimit të kësaj fabrike, mirëpo edhe sot e kësaj dite nuk janë marrë vendime konkrete për të vlerësuar nëse ndërtimi i saj është i dëmshëm për banorët përreth.

/GazetaSinjali/