Banorët e fshatit Kishnicë, Shushicë, gjysmës së fshatit Badoc, një pjesë e vogël e Graçanicës, si dhe fshati Shashkovc i Prishtinës që disa ditë kanë mbetur pa ujë të pijshëm për shkak të dëmtimit të një gypi me gjatësi 130 metra, raporton Gazeta Sinjali.
Për shkak se ky gyp është dëmtuar shumë shpesh, sanimi i tij, sipas Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, ka qenë i parealizueshëm.
Kështu, ujësjellësi njofton se është duke u punuar në realizimin e linjës së re dhe këto zona do të mbesin pa ujë deri në përfundimin e këtij projekti.
“Pavarësisht se kishim këtë projekt të planifikuar, dëmtimet e shpeshta na detyruan që, dy muaj më herët të dalim me ekipet tona për të sanuar gjendjen aty. Këto zona janë pa ujë qe disa ditë, deri në ndërtimin e kësaj linje të re, e cila do u mundësojë furnizim me ujë pa probleme infrastrukturore, zonave të lartëcekura”, thuhet në njoftimin e KRU “Prishtinës”.
“Pra, çdo investim në infrastrukturë realizohet për shërbime më të mira për konsumatorët tanë, por deri në realizimin përfundimtar ne detyrohemi të ndërprejmë furnizimin”./Gazeta Sinjali/