image Banka “Raiffeisen” rrezikon qytetarët e Kosovës, ua dërgon të dhënat personale në Ukrainë

Siguri

Banka “Raiffeisen” rrezikon qytetarët e Kosovës, ua dërgon të dhënat personale në Ukrainë

news image

Të dhënat personale, si emri mbiemri, numri personal dhe adresa të klientëve kosovare të Bankës Raiffeisen janë dërguar në Ukrainë. Këtë e ka lejuar Agjencia për Informim dhe Privatësi. Ato po përpunohen nga kompania me bazë në Kijev “Infocus L.L.C”.

Të dhënat personale të klientëve të saj, banka Raiffeisen i ka dërguar në shtetin e Ukrainës. Këto të dhëna që përmbajnë të dhënat si numri personal dhe adresa do të përpunohen në kompaninë private “Infocus L.L.C”.

Bankës Raiffaisen i është lejuar dërgimi i këtyre të dhënave te kompania me bazë në Kijev nga Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP).

Drita jeshile për këtë rast iu dha Raiffeisen me vendimin e 19 nëntor të vitit të kaluar. Shteti i Ukrainës nuk figuron në listën e vendeve të sigurta për mbrojtjen e të dhënave që ka publikuar vetë Agjencia për Privatësi.

Por në arsyetimin e Agjencisë thuhet se kompania bankare ka prezantuar një certifikatë, të quajtur “PCI DSS”, që sipas saj dëshmon se “Infocus” L.L.C. është e licencuar sipas standardeve evropiane për ofrimin e sigurisë së të dhënave.

“Raiffeisen Bank Kosovo, me rastin e aplikimit për lejimin e transferimit, ka ofruar draftmarrëveshjen e përpunimit të të dhënave me kompaninë ‘Infocus’ LLC, ku palët dakordohen të ndërmarrin mbrojtje adekuate në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale”, thuhet në vendimin e Agjencisë për Privatësi.

Më tej në këtë vendim të Agjencisë thuhet se qëllimi i transferimit të të dhënave personale të kosovarëve në Ukrainë, është ofrimi i shërbimeve këshilluese gjatë udhëtimeve për klientët e bankës që posedojnë kartela të tipit “Visa Platinum”.

Sipas vendimit të AIP-së, në draft-marrëveshje janë paraparë obligimet dhe përgjegjësitë e palëve që kanë të bëjnë me përpunimin e të dhënave si: masat teknike organizative, detyrimet e kontrolluesit dhe përpunuesit, sigurimi i cilësisë, komunikimi në rast të shkeljeve nga përpunuesi si dhe procedura e fshirjes dhe kthimi të dhënave personale tek kontrolluesi, raporton insajderi.

/Gazeta Sinjali/