Banka Qendrore Evropiane rriti sërish normat e interesit të enjten dhe njoftoi se po ndryshonte kushtet e kredive të lira për bankat tregtare një përpjekje kjo, për të tkurrur bilancin e saj dhe për të luftuar një rritje historike të inflacionit.
E shqetësuar se rritja e shpejtë e çmimeve po rrënjoset, BQE-ja po rrit kostot e huamarrjes me ritmin më të shpejtë në histori.
Si rezultat hipotekat, kreditë për makina dhe kartat e kreditit do të bëhen më të shtrenjta .
Banka Qendrore për 19 vendet që përdorin euron rriti normën e saj të depozitave me 75 pikë bazë të tjera në 1.5%, norma më e lartë që nga viti 2009.
“Këshilli Drejtues mori vendimin e sotëm dhe pret të rrisë më tej normat e interesit, për të siguruar kthimin në kohë të inflacionit në objektivin e tij afatmesëm prej 2%,” tha BQE në një deklaratë.
Presidentja Christine Lagarde vuri në dukje se lufta në Ukrainë dhe pasiguritë e tjera globale bënë që ekonomia e eurozonës të përballej me një sërë rreziqesh ndaj dhe pasojat e inflacionit u zmadhuan.
Ajo shtoi se aktiviteti ekonomik në eurozonë ka të ngjarë të ngadalësohet ndjeshëm deri në fillimin e vitit të ardhshëm.