image Banka në Gjakovë nuk respekton vendimin e BQK-së, u kërkon qytetarëve të paguajnë këstet

Financa

Ekonomi/ Banka në Gjakovë nuk respekton vendimin e BQK-së, u kërkon qytetarëve të paguajnë këstet

news image

Pavarësisht vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që personat të cilët nuk kanë mundësi për pagesën e këstit të kredisë do të mund të mos e paguajnë këstin e tyre deri më 30 prill, një bankë po kërkon nga kredimarrësit e saj që pagesa e kësteve të bëhet edhe këtë muaj, shkruan Gazeta Sinjali.

Bëhet fjalë për The Kosovo Enterprise Program (Programi Kosovar i Ndërmarrësisë), KEP trust – dega në Gjakovë.

Fisnik Baftijari nga Gjakova ka treguar për Gazetën Sinjali se kur ka shkuar në degën e kësaj banke në qytetin e tij për të kërkuar shtyrjen e këstit një gjë e tillë nuk i është lejuar.

Kjo pasi, zyrtarë të KEP trust i kanë thënë Baftijarit se kjo bankë nuk është e informuar rreth këtij vendimi.

Se nuk janë informuar ende me këtë vendim, Baftijarit i kishin thënë përmes telefonit edhe nga selia qendrore e kësaj banke në Prishtinë.

Por, ky arsyetim i Bankës KEP u përgënjeshtrua nga Banka Qendrore e Kosovës.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka informuar bankat lidhur me vendimin e përbashkët të BQK-së dhe SHBK-së (Shoqatës së Bankave të Kosovës)”, thuhet në përgjigjen e Kushtrim Ahmetit, zëdhënësit të BQK-së për Gazetën Sinjali.

I pyetur se çfarë do të ndodhë me bankat të cilat nuk e respektojnë këtë vendim, Ahmeti tha se “zbatimi i këtij vendimi të përbashkët do të jetë subjekt i ekzaminimit të BQK-së pas kalimit të situatës në të cilën ndodhemi dhe varësisht nga rezultatet e ekzaminimeve, do të ndërmarr masat administrative/ndëshkuese, të parapara me legjislacionin në fuqi”.

Gazeta Sinjali ka dhjetë ditë që ka dërguar pyetje në e-mailin zyrtar të kësaj banke dhe degës së saj në Gjakovë, lidhur me këtë rast, por akoma nuk ka pranuar përgjigje.

Vendimi për shtyrjen e pagimit të kësteve të kredisë u mor nga Banka Qendrore e Kosovës në dakordim me Shoqatën e Bankave të Kosovës, më 16 mars të këtij viti, bazuar në situatën e krijuar në vend si rezultat i pandemisë me virusin COVID-19.

“Secili kredimarrës që është në pamundësi për pagesë të këstit në periudhën si më sipër duhet të bëjë kërkesë te kredi dhënësi për një gjë të tillë përmes adresës elektronike apo përmes telefonit, dhe kërkesat e tilla do të aprovohen. Këstet e papaguara do të jenë subjekt i pagesës pas kalimit të situatës së krijuar, që nënkupton që afati i maturimit të kredisë do të shtyhet gjithashtu për një muaj!  “, thuhet në këtë vendim.

Madje, në vendim lihet e hapur mundësia për pezullimin edhe për më gjatë të pagimit të kësteve të kredisë, varësisht nga situata.

Ky vendim, u mor pas propozimit të qeverisë tani në detyrë të Kosovës. /Gazeta Sinjali/