image Banka Botërore thotë se në Kosovë sektori privat u godit rreth 90 për qind

Kosovë

Banka Botërore thotë se në Kosovë sektori privat u godit rreth 90 për qind

news image

Banka Botërore ka lajmëruar goditjen e madhe që ka shkaktuar pandemia në ekonominë e Kosovës, veçanërisht sektorin privat.

Në raportin Tregjet e punës të Ballkanit Perëndimor nën krizën COVID-19, të publikuar nga Banka Botërore, theksohet se kufizimet mbi lëvizjen dhe mbajtja e distancës sociale kanë cënuar ofertën dhe kërkesën e krahut të punës, transportin dhe udhëtimet në mënyrë të paprecedentë.

Raporti kujton se janë mbyllur sektorë të tërë të ekonomive kombëtare: hoteleri-restorantet, tregtia jo e domosdoshme me pakicë, turizmi, transporti dhe një pjesë e mirë e prodhimit dhe pavarësisht nga paketat e mbështetjes shtetërore, bizneset e të gjitha ekonomive po pësojnë humbje, çka rrezikon operacionet dhe aftësinë e tyre paguese. Më të prekura sipas Bankës Botërore, janë firmat e vogla dhe të mesme, si edhe bizneset joformale.

Banka Botërore thekson se në fund të vitit, Kosova kishte rritjen më të madhe të numrit të personave të punësuar: 6.7 për qind në normë vjetore.

Sa i përket Kosovës, përmend firmat që kanë regjistruar një numër shumë më e lartë punonjësish si rishtazi të papunë, çka tregon se mbështetja për punësim e cila u është dhënë punonjësve të sektorit formal në kuadër të paketës fiskale të qeverisë për situatën e jashtëzakonshme ka kontribuar në formalizmin e punëmarrësve.

BB thotë se në dy vitet e fundit në Kosovë dhe në Malin e Zi, pagat janë rritur me mbi 2 për qind. Megjithëse Kosova është vendi me rritjen më të madhe të punësimit, ka ende një sasi të madhe fuqie punëtore të pashfrytëzuar ende.

Në vitin 2019 norma e papunësisë ra në 13.4 për qind, 2.3 pikë përqindjeje më pak se në 2018, ku në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut ra me 3.5 pikë përqindjeje. Por, kur filloi kriza, thuajse një e dyta e popullatës së rajonit në moshë pune qe jo aktive. Në Kosovë, pasiviteti qe rritur madje përpara krizës; 70 për qind të kosovarëve kriza i gjeti pa punë. Megjithëse Kosova është ende shumë mbrapa, sukseset e parë e kanë rritur shkallën e pjesëmarrjes së femrave në mbi 22 për qind të grave në moshë pune.

Derisa përmend të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimore, në raport thuhet se shoqëritë tregtare kanë kaluar me shpejtësi drejt masave mbrojtëse: kanë ndryshuar orarin e punës, kanë bërë shkurtime të përkohshme të orëve të punës, kanë detyruar punonjësit të marrin lejen vjetore, leje pa të drejtë rroge dhe ka pasur edhe shkurtime të vendeve të punës për të përballuar rënien e operacioneve apo madje edhe mbylljen e detyruar.

Banka Botërore thotë se një shoqatë biznesi në Kosovë konstatoi se 84 për qind e firmave të anketuara ose qenë mbyllur plotësisht, ose punonin me kapacitet të reduktuar ose me orare të reduktuar pune, dhe rreth 29 për qind e kishin ulur numrin e punonjësve.

Në Kosovë, hendeku gjinor i cili ekzistonte më parë, sipas BB-së, tregon se vetëm 13 për qind e punonjësve të prekur do të jenë femra.

Vetëm në Kosovë, do të ketë më shumë punonjës të përkohshëm të cilët do ta humbin punën në krahasim me ata që janë në marrëdhënie definitive pune, por kjo ndodh për shkak të strukturës së tregut të punës përpara krizës. Një e dyta e punonjësve të prekur do të jenë në shoqëri të vogla (deri në 10 punonjës)

Kundërpërgjigjet e menjëhershme të politikave duhet të sigurojnë masa lehtësuese për punonjësit dhe për ndërmarrjet për të mbrojtur mjetet e jetesës dhe bizneset me rentabilitet ekonomik, sidomos në sektorët e goditur më rëndë, duke hedhur kështu themelet për kushtet për një rimëkëmbje të menjëhershme e të pasur me vende pune me t’u vënë nën kontroll pandemia./ Gazeta Sinjali/