Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe zv.kryeministren Belinda Balluku, i zuri shiu teksa inspektonin punimet në rrugën Orikum-Dukat këtë të premte. Dhe me këtë rast, Balluku bëri një përditësim të situatës në liqenin e Fierzës.
Ajo u shpreh se reshjet do të vijojnë deri në datën 23. Po ashtu, u shpreh se atje niveli i ujit ka shkuar gati në 268 metra. Balluku, e cila është njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, tha se duhet treguar kujdes për të mos pasur shkarkime.
“Tani na kapi shiu, por nuk na vjen keq për të thënë të drejtën”, tha Balluku.
Ndërkohë Rama u shpreh: “Jo, jo shiun mezi e presim. Po atje lart ka shi?”.
“Ka shi lart. Ka prurje të konsiderueshme. Ka pasur një shkëputje të reshjeve mbrëmë në darkë, ndërkohë që ka nisur tani në 12:00 dhe pritet që të përfundojë në orën 12:00 të natës duke pasur prurje në liqenin e Fierzës, të cilën po e konservojmë për të rritur nivelin. Jemi gati në 268 metra duke shkuar në këto momente. Sa i përket pjesës së Komanit dhe të Vaut të Dejës duke qenë se janë basene të vegjël, po tregohemi të kujdesshëm, po punojmë me 4 agregatë, por nga ana tjetër do të na duhet që të shikojmë si do ta menaxhojmë, pasi prurjet do të jenë gjatë ditës së nesërme dhe do të vazhdojnë deri në datën 23. Duhet të jemi të kujdesshëm për të mos pasur shkarkime. Duhet të shkëmbejmë energji me Kosovën ose do dalim edhe në treg për të shitur”, tha tutje Balluku.
Sa i përket kantierit Orikum-Dukat ecuria e punimeve është në 68 për qind. Në të gjithë zonën janë kryer punime edhe sa i përket mbrojtjes lumore, raporton TV Klan.
“Vlorë – Në kantierin e rrugës Orikum-Dukat, ku kanë ecur 68 % e punimeve, një investim me rëndësi për qytetin e Vlorës dhe të gjithë jugun e Shqipërisë, e që bashkë me bajpasin, shkurtojnë maksimalisht distancën drejt bregdetit, duke i dhënë një frymëmarrje të re turizmit dhe ekonomisë së zonës”, ka shkruar Rama ndërkohë në Facebook.