image Balaj-Halimaj: Kosova fitoi nga marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë

Politikë

Balaj-Halimaj: Kosova fitoi nga marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë

news image

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj ka deklaruar se vetëm pjesëmarrja e delegacionit të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë përbën fitore për vendin tonë. Sipas saj, raportet me SHBA-në ishin të rrezikuara seriozisht vetëm disa muaj para vizitës.

Ndërsa njohja nga Izraeli, Balaj-Halimaj thotë se mund të cilësohet si fitore e madhe, njëjtë si investimet në infrastrukturë.

Zëvendëskryeministrja nga radhët e Nismës Socialdemokrate nuk e sheh si penalizim për Kosovën faktin që vendi nuk duhet të aplikojë në organizata ndërkombëtare për një vit. Sipas saj, brenda kësaj periudhe kohore, Kosova duhet të përgatitet për aplikim dhe më pas me mbështetjen e SHBA-së edhe të pranohet.

“Vetëm ardhja e delegacionit të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë në Washington përbën fitore, sepse duke ardhur këtu ne kemi ruajtur marrëdhëniet e mira me aleatin tonë më të rëndësishëm. Mos të harrojmë që këto marrëdhënie vetëm para pak muajsh ishin të rrezikuara seriozisht! Të gjitha gjërat e tjera që kanë ndodhur sot përbëjnë fitore shtesë të shtetit të Kosovës, siç janë investimet e mëdha në infrastrukturë. Gjithashtu njohja nga Izraeli e shtetit të Kosovës në prani të presidentit Donald Trump përbën një fitore të madhe”, ka deklaruar ajo.

Me marrëveshjen e Washingtonit, Serbia obligohet të ndalojë fushatën çnjohjeve ndaj shtetësisë së Kosovës, por Balaj-Halimaj thotë se Kosova ka të drejtë të vijojë fushatën e lobimit për të siguruar njohje të reja. /GazetaSinjali/