Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, sot kërkoi nga Qeveria e Kosovës se kur flasin për suksese të tregojnë dhe t’i listojnë ato.
“Është mirë që kur të flisni për suksese të dilni dhe të listoni disa suksese dhe të mos na mbani ligjërata është mirë të dilni dhe të na tregoni se cilat janë sukseset në ekonomi, cila është një reformë e vetme e cila është marrë në fushën e politikave fiskale, në funksion të përmirësimit të ambientit të biznesit, na tregoni se cilat rrugë, ura janë ndërtuar cilat projekte kanë filluar ose janë në progres na tregoni se cilat çerdhe janë ndërtuar prej atyre që janë premtuar e cilat shkolla janë ndërtuar dhe avancuar”, tha ajo.
Bajrami pyeti se a është luftë kundër korrupsionit kur ende vazhdon të mbetet ambasador i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
“A është luftë kundër korrupsionit me lënë ende Martin Berishaj ambasador, i cili po hetohet nga Prokuroria Speciale a është luftë kundër korrupsionit kur bordi për miniera dhe minerale i përzgjedhur nga shumica nga 51% i fal një kompanie private 9 milionë euro. Si po shpërndahen subvencionet sipas Komisionit të energjiisë 46 milionë i janë dhënë KEDS-it dhe ju na keni kryqëzuar neve që 60 milionë u kemi shpërndarë 23 ndërmarrje ndërmarrjeve dhe 230 mijë punëtorëve. Na tregoni se çka po quani sukses”, u shpreh ajo.