image Bajrami përfshihet në debatin për buxhetin e Prishtinës: Komuna po punon më shumë se krejt ministritë bashkë

Politikë

Bajrami përfshihet në debatin për buxhetin e Prishtinës: Komuna po punon më shumë se krejt ministritë bashkë

news image

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, është përfshirë në debatin mes nënkryetarit të Prishtinës, Alban Zogaj dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, lidhur me buxhetin për kryeqytetin.

Murati ka akuzuar LDK-në e cila udhëheqë në Prishtinë se nuk po punon sa duhet. Ai ka thënë se më shumë ka kontribuar Qeveria Kurti në rritjen e buxhetit të komunës, sesa vetë komuna. Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar nënkryetari Zogaj, i cili ministrin e ka quajtur manipulues.

Bajrami iu kundërpërgjigj Muratit duke i thënë se “tregoni dikush ministrit të numrave se Prishtina edhe pa mbështetjen e tij po punon më shumë se krejt ministritë bashkë”.

Ajo tutje ka rikujtuar disa nga premtimet e Qeverisë Kurti, duke thënë se është viti i katërt dhe ministri do të duhej të fliste për to.

“160 qerdhe, mijëra banesa me këste 120 euro dhe 150 euro, bankë zhvillimore e të tjera. Ndërsa, sa i përket mbështetjes nga ai dhe Qeveria e tij për komunën e Prishtinës, për cilën mbështetje e ka fjalën? Për bllokimin e mjeteve vetanake 28 milionë euro, plot 178 projekte, deri në gusht të këtij viti,  Për stopimin e rrugës A ”Jim Xhema”, me vendime politike duke shfrytëzuar instrumentet komplet joligjore, Apo faktin që investimet kapitale nga ministritë e linjës për komunën e Prishtinës për vitin 2024 janë me të ulëta se për komunën e Shtimës”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Ndërsa sa për krahasime me Qeverinë e LDK-së, ajo është shprehur se “ia përkujtoj ministrit që kur e ka marrë mandatin rritja ekonomime ka qënë 16%, sot rritja ekonomike është 2%”.

“Të hyrat i ka rritë inflacioni dhe se asnjë euro me shumë nuk i ka aloku Qeveria asnjë komunë që udhëhiqet nga LDK-ja përpos asaj që ju takon me ligj/formulë”, ka përfunduar ish-ministrja e Financave.

/GazetaSinjali/