image Bajrami për video-materialet shkollore: Mësimdhënësit nga komunat veriore nuk i janë përgjigjur ftesës për bashkëpunim

Kosovë

Arsim/ Bajrami për video-materialet shkollore: Mësimdhënësit nga komunat veriore nuk i janë përgjigjur ftesës për bashkëpunim

news image

Ministria e Arsimit ka punuar video-materiale për nxënësit e shkollave të Kosovës, në mënyrë që të zhvillohet mësimi online gjatë kohës kur ata janë të izoluar, shkruan Gazeta Sinjali.

Sot, ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, gjatë një konference për media, njoftoi se kjo formë e mësimit do të fillojë së aplikuar nga nesër.

Sipas Bajramit, vido-materiale e punuara në gjuhën shqipe do të përkthehet edhe në gjuhën boshnjake dhe gjuhën turke për nxënësit e këtyre komuniteve në Kosovës.

Bajrami gjithashtu njoftoi se ministria që ajo udhëheqë u ka bërë thirrje edhe mësimdhënësve nga komunat me shumicë serbe që të bëhen pjesë e këtij projekti për të krijuar materiale në gjuhën serbo-kroatishte, por tha se të njëjtit nuk i kanë kthyer ende përgjigje.

“Po përkthehet materiali që të kemi material edhe në gjuhën boshnjake dhe në gjuhën turke. Ndërkohë si Ministri e Arsimit u kemi bërë ftesë edhe drejtorive komunale të arsimit në Komunat me banorë serbë që edhe ato të dërgojnë mësimdhënësit e tyre në mënyrë që ne të mund të krijojmë material sipas kurrikulave të MASHT-it në gjuhën serbo-kroatishte, por ende nuk kemi marrë përgjigje. Në qoftë se ato do i përgjigjen ftesës sonë, atëherë ne do të bëjmë hapësirë në mënyrë që në fakt të fillojmë prodhimin e atyre video-materialeve edhe për ata”, tha ministrja.

Kujtojmë, që Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që mësimi në shkollat e Kosovës në tërë territorin e vendit të ndërpritet deri më 27 mars, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Deri tani në Kosovës janë konfirmuar 31 raste të prekura me COVID-19, njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë ditën e sotme./Gazeta Sinjali/